EditTestamenti2
klieshe
 
Faqja Kryesore Jetëshkrimi Fotoalbumi Librat Kontakti
 

E re

Fëmijëria

 

Enver Hoxha

Të flasësh për fëmijërinë e bac Enverit, siç e thërrasin shqiptarët e viseve të pushtuara të Shqipërisë, apo xhaxhi Enverit, siç e thërrasin shqiptarët në Shqipëri, është një çështje e veçantë. E veçantë, sepse fëmijëria e tij kaloi nëpër një periudhë të veçantë kohore, në një periudhë kur nuk dihej a do kishte Shqipëri apo do çbëhej njëherë e përgjithmonë nga harta e globit tokësor. Në një kohë kur burrat e kombit, nga jugu e veriu, nga lindja e perëndimi, ishin dhënë me mish e me shpirtë për të shpëtuar dhe krijuar Shqipërinë. Këto përpjekje e sakrifica të atdhetarëve tanë të asaj kohe janë pikërisht bazamenti i krijimit të shtetit të parë shqiptar, edhe pse të përgjysmuar e të sakatuar tejmase.
Pikërisht në këto kohëra kaloi fëmijërinë e vet edhe Enver Hoxha, në një familje me tradita patriotike e atdhedashëse. Xhaxhai i tij, Hysen Hoxha, ishte njëri nga pjesëmarrësit e kuvendit në Vlorë që ngriti flamurin kombëtar dhe shpalli krijimin e shtetit shqiptar më 28 Nëntor 1912. Kështuqë s'kishte si të ndodhte ndryshe pos të brymosej me ide patriotike e atdhedashëse. S'kishte si të ndodhte ndryshe pos të formësohej dhe të mishërohej me këto ide. Ishte pikërisht ky brumësim që Enver Hoxhën si fëmi do e sillnin më vonë tek betimi i tij para varrit të Çerçiz Topullit se do luftonte deri në vdekje për bashkimin e trojeve shqiptare.
Derisa diskutonim në redaksi për këtë rubrikë, pa hezitim miratuam mendimin e Tarasit, i cili na sugjeronte se këtë rubrikë duhet t'ia lëmë vet Enver Hoxhës, meqë për fëmijërinë e tij më së miri do mësojmë nga vet ai, nga shkrimet e tija për ato kohëra, për përjetimet e tija, për qytetin ku u rrit, për rrugicat e qytetit muze, për kalanë kreshnike të Gjirokastrës, për njerëzit e asaj kohe. Sepse Enver Hoxha mund të na i sjell më të freskët e më të afërt atë kohë, pasiqë në shkrimet e tij ai na i sjellë të gjallë atë kohë përmes shkrimeve që ua dedikoi fëmijëve dhe pionerëve. Shkrime të cilat kishin dhe kanë për qëllim edukimin patriotik të brezave, na mësojnë se si duhet ta duam vendin, pavarësisht sa i vogël apo i madh është, pavarësisht nga varfëria e skamja. Ta duam sepse është i yni dhe të tillë duhat t'ua lëmë brezave.
Prandaj, për fëmijërinë e Enver Hoxhës po ia lëmë atij vetë të flasë, duke filluar me një fjalim të tij të mbajtur para popullit të Gjirokastrës më 3 tetor 1947, ku ai do shfaqë mallin e tij për vendin ku u lind e u rrit, për vendin ku u frymëzua dhe u brymos si patriot e revolucionar.

Shpat Karadaku


* * * *
* * *

 

ENVER HOXHA

PËR SHOKËT E MI PIONIERË
 (Pjesë të zgjedhura nga Veprat)

Për shokët e mi pionerë

 

QYTETI IM I DASHUR*

*(Më 3 tetor 1947, shoku Enver Hoxha shkoi për herë të parë pas Çlirimit në qytetin e Gjirokastrës. Në fjalimin që mbajti para popullit, Ai shprehu dashurinë dhe mallin për vendlindjen.)

Gjirokastra

Lufta e tmerrshme kundër okupatorëve italianë dhe gjermanë më ndau për shumë kohë nga qyteti im, ku kam lindur dhe jam rritur, ku kam marrë mësimet e mia të para, ku kam jetuar vegjëlinë time me gëzimet, hidhërimet dhe shpresat e saj, ku janë formuar karakteri dhe ndërgjegjja ime, ku, si të gjithë djemtë e thjeshtë të këtij qyteti heroik, më ishte rrënjosur në zemër dashuria për atdheun dhe për popullin tonë të shumëvuajtur.
Lufta më kishte ndarë nga ju, por zemra ime, shpirti im ishte me ju. Qyteti im i dashur, ku kam lindur, ju kalldrëme me gurë dhe ju shtëpi të vjetra me dërrasa, që keni qenë gjithë bota ime dhe gëzimi im i kohës së vegjëlisë, ju mëma plaka, motra dhe vëllezër të Gjirokastrës, që më keni rritur, më keni këshilluar, më keni qortuar dhe më keni gëzuar kur kam qenë i ri, një mall i madh më kishte marrë për ju dhe sot jam thellësisht i emocionuar nga gëzimi që ndiej.
Qyteti im i dashur, ku kam lindur, është e vërtetë se të shoh për herë të parë, pas kaq vjet lufte të madhe, ku luhej e ardhmja dhe fati i popullit tonë, por ti ke qenë në çdo kohë në zemrën dhe në mendjen time. Lufta jote heroike e çlirimit ishte për mua model i shkëlqyer, ishte shembull që duhej të ndiqja deri në vdekje, si djali yt që isha.
Edhe unë, tok me popullin tonë trim, u përpoqa me gjithë fuqitë e mia për çlirimin e atdheut tonë të dashur. Edhe unë, me gjithë popullin tonë heroik, luftova për të fituar lirinë, pavarësinë, sovranitetin e Shqipërisë. Unë s'bëra veçse detyrën time, që më ngarkonin atdheu dhe populli, si çdo qytetari të ndershëm të Shqipërisë, ndër momentet më kritike nga ku kalonte kombi ynë dhe gjithë njerëzimi. Qyteti im i dashur, ku kam lindur, të jam mirënjohës për jetë, pse ti më rrite, ti më mësove, ti më dhe forcë të kryej detyrën ndaj atdheut dhe të luftoj për fitoren e atyre që shtypeshin, e atyre që vuanin nga mjerimet dhe nga uria.

* * * *
* * *

KALAJA E GJIROKASTRËS

GjirokastraGjirokastra kalaja

Është karakteristike se çdo shtëpi gjirokastrite është ndërtuar me gurë. Me gurë, pra, nuk është ndërtuar vetëm kalaja madhështore e qytetit, me bedena të fortë, me pavdekshmërinë e saj si në ndërtim, ashtu edhe me fuqinë madhështore që i jep pamjes së saj sipër një kodre dominuese gati mbi të gjitha mëhallët e qytetit. Kalaja ndodhet në një pozicion strategjik jashtëzakonisht të fortë kundër sulmeve dhe është ndërtuar në mënyrë që luftëtarët e saj të mund të dilnin fare mirë për të sulmuar armiqtë, në qoftë se këta të fundit do të arrinin të futeshin deri në shkallët e qytetit.
Kalanë e qytetit shpeshherë e përshkruajnë si një anije ose, siç më duket mua, si një kryqëzor që lundron në një det shtëpish. Them kryqëzor që çan valët, pse kalaja, me pjesën e saj të përparme si thikë, merr formën e një kështjelle jo vetëm që mbrohet, por edhe që sulmon përpara. Hyrja kryesore e kalasë, ajo drejt Pazarit të Vjetër dhe në drejtim të fushës, është ndërtuar në formë të ngushtë, e rrethuar me bedena të fortë dhe me dy-tre kate nga brenda për manovrime ushtarake. Kurse fundi i kalasë, nga ana e Dunavatit, është më i gjerë, sepse rreziku nuk mund të vinte nga mali.
Një tipar tjetër karakteristik i kësaj kalaje të famshme, që rrallë ia gjen shoqen në mesjetë, me aq sa kam studiuar unë, është pozicioni shumë i lartë mbi kodrën ku është ndërtuar dhe karakteri jobanues, në përgjithësi. nga zotërinjtë feudalë, por mbrojtës e sulmues nga i gjithë populli që do të përballonte sulmin. Po ta imagjinosh për një moment kalanë, pa shtëpitë e lagjeve rreth e rrotull saj, atëherë mund të realizosh honin e madh rreth kalasë, i cili bëhej tmerr për armikun që e sulmonte ose e rrethonte. Edhe pjesa e brendshme e kalasë është ndërtuar me një zotësi të madhe nga ana ushtarake. Daljet nga portat, nëpërmjet tunelesh që nuk gjenden përballë portave, evitojnë goditjet si në sulm, edhe në tërheqje. Qendra e kalasë ishte e zorshme të zaptohej pa sakrifica të mëdha nga sulmuesi. Arkadat, tunelet, portat e brendshme ishin ndërtuar si prita të rrezikshme. Dhe mbi të gjitha, ky monument madhështor i forcës shqiptare ka një elegancë të çuditshme.
Ta shikosh kalanë nga të katër anët, nga lartësitë e Dunavatit, mbetesh me të vërtetë i mahnitur me madhështinë, forcën dhe elegancën e treguar nga projektuesit e ndërtuesit e saj, të cilët këto cilësi i kanë pleksur me anën ushtarake.
Karakteristik është i tërë ky beden i dalë mbrojtës që me bazamentet e tij në gërxh të jep idenë e forcës. Këtë e shikon kudo, por veçanërisht në hyrje të kalasë, nën kullën e sahatit dhe në kryen e kalasë, që qëndron përballë Dunavatit dhe Malit të Gjerë. Ky beden, mbi vendin që quhet Dullgë, ku mbrojtësit e kalasë së vjetër në themelet e tij kishin vendosur një top, tytën e të cilit kur ishim të vegjël ngjiteshim dhe e shalonim si një kalë, e jep si duhet idenë e forcës së kështjellës.
Brenda kalasë ekziston qendra afër hyrjes. Kjo, aktualisht, por mendoj se edhe më parë, ka qenë një vend i hapët, por i mbrojtur nga të katër anët. Përpara është «maja» e kalasë si shpatë drejt fushës, anash vazhdojnë të jenë edhe sot vrimat - penxhere të mëdha, nga të cilat qëllonte topi, bombarda o kumbaraja mbi armikun që i vinte nga fusha ose nga Përroi i Shamajve. Këto vende e pozicione luftimi më brenda, nëpërmjet mureve të trasha e tuneleve lidheshin me një labirint të madh urash e arkadash, që të çonin edhe në qendrën e poshtme të kalasë, ku ekzistojnë të ndara për luftëtarët, për municionet, burgjet, ashefet etj., por edhe të ngjitnin në sheshin e hapur të sipërm të kalasë, nga ku kaloje përsëri në bodrume me arkada të njëllojta, që të nxirrnin deri në fundin e kalasë, në Dullgë. Nga kjo anë ndodhej dhe ujësjellësi ose urat e mëdha, siç i quanim ne, i ndërtuar nga Ali Pasha për të sjellë ujët në kala nga mali i Sopotit. Injorantët e parë dhe ata të kohës së regjimit të Zogut i rrëzuan këto monumente të mrekullueshme.

* * * *
* * *

SOKAKU I TË MARRËVE*

Gjirokastra rrugica

*(Sot Sokaku i të Marrëve thirret rrugica «Pionieri» për nder të gurskalitësve të vegjiël që e shtruan me Kalldrëm në vitin shkollor 1967-1968.)

- Moj nëno, - i thosha gjyshes, - pse i thonë Sokaku i të Marrëve?
Ajo më përgjigjej
- Ku di unë, mor bir, as unë s'e di pse i thonë Sokaku i të Marrëve. Mundet ngaqë ai ka gurë shumë dhe kur zbresin njerëzit, bëhet aq shumë zhurmë, sa duket siksur kalojnë të marrët. - Kështu më thoshte nënoja.
Por ky Sokak i të Marrëve tash mua më është aq i dashur e më sjell ndër mend vogëlinë. E përfytyroj veten të vogël, me këpucë të zeza me proka, me maja të kthyera përpjetë, kur zbritja Sokakun e të Marrëve, nga ana e majtë e të cilit ngrihej shtëpia e Skëndulajve, e lartë e lartë, me një mur ovoro, që vinte deri në mes; në majë të saj shikoje disa penxhere të dala, me hekura, me çatinë pullaz, që mbahej nga trarë, njëri pranë tjetrit, të rreshtuar si asoherë dhe mbi çati ngriheshin tre-katër oxhakë, të hollë si aneja ime, të bardhë si aneja. Kur vinin «haxhilejlekët» ata bënin atje foletë dhe kërcitnin sqepat.
Më kujtohet dimri, kur, duke u mbledhur nga të ftohtët, zbritja për të vajtur në shkollë; përpara meje ngriheshin malet e Lunxhërisë vija-vija e zhdukeshin sikur në majë kishin një qylaf të bardhë; vijat ishin gërryerjet që kishin bërë ujërat shekullore.
Kam kohë që nuk kam shkuar nga Sokaku i të Marrëve, por, kur mendoj për Gjirokastrën, kujtimet më çojnë sa herë atje. Më thonë se tash pionierët e kanë shtruar me kalldrëm, shkallë-shkallë me mjeshtëri e aq bukur; dritaret e mëdha e të vogla që bien mbi të dhe muret e bardha i japin tani këtij sokaku një hijeshi të veçantë. Në mes shtëpive të thjeshta, anash tij, të ndërtuara me mure me gurë, të cilët janë të radhitur njëri mbi tjetrin pa llaç e me një ustallëk për qejf, sokaku gjarpëron e të çon në rrugën e kako Pinos. Sa herë kam kaluar unë në këtë rrugë.
Kaloja në rrugë nibi përrua dhe ndalesha kurdoherë i habitur përpara shtëpisë së Ficajve, pse ajo ishte me të vërtetë e bukur. Në ato kohë të vogëlisë sime, edhe pse nuk kuptoja nga arkitektura, stili i saj më tërhiqte; ajo ishte një shtëpi e lartë e lyer me bojë në të verdhë të thellë me dy kate e me papafingo. Stili i kësaj shtëpie ishte me të vërtetë i hijshëm.

* * * *
* * *

NËNTORË TË LARGËT

Pavaresia

Kemi ardhur në Vlorën heroike, që na ka frymëzuar që në rininë tonë të largët me trimërinë dhe me ngjarjet e saj historike. Këto ditë nëntori në Vlorë më sjellin ndër mend ato kohë të largëta, por sa të dashura nëntorësh, nga të cilat kam aq shumë kujtime.
Në një ditë të caktuar, veçanërisht në nëntor, na vinin në shtëpi burra për vizitë. I priste aneja poshtë te shkalla dhe i ngjiste sipër në qoshk të odasë së madhe, ku i priste babai. Kur vinin të gjithë, babai i thoshte anesë:
- Nuse, përveç kafesë, na sill edhe nga ato llokumet që prura dje në atë kartën shtupellë që kam vënë në dollap të patit.
- Si urdhëron mulla! - i thosh aneja.
Unë ndiqja anenë kur vente e vinte për t'u shërbyer mysafirëve, e ndihmoja atë, më në fund rrija afër babait dhe dëgjoja njerëzit që bisedonin.
Duhet të sqaroj që xhaxhanë tonë, Hysen Hoxhën, të gjithë ne, fëmijët, e thërritnim edhe baba, edhe baba Çen, kurse babanë tonë, Halil Hoxhën, të gjithë ne, fëmijët, e thërritnim derisa vdiq, xhaxha.
Në ato ditë nëntori të largët babai me burrat në qoshk flitnin e flitnin, por unë ca i kuptoja, ca jo.
Kur zinte në gojë shpatat baba Ceni, mua fët më shkonte mendja te sepetet, atje afër mbi dhipato të qoshkut, që ishin plot me shpata të gjyshërve e të babait. Më kujtohet njëherë, kur babai foli për shpatat e grekëve, unë kërceva si gjel i vogël dhe thashë:
- Pse nuk i nxjerrim edhe ne shpatat tona, ja, këtu, në sepet i kemi, doni t'jua tregoj?
Pleqtë qeshën. Xha Hasan Xhiku më vuri dorën në kokë dhe më tha
- Do t'i qitim edhe ne shpatat tona nga sunduqet, mos u merakos, djalë.

Pjesëmarrësit e mbledhjes së Pavarësisë në Vlorë 1912 Xhaxhai i Enver Hoxhës Hysen Hoxha

Ata burra që mblidheshin me babanë në ato ditë të nëntorit, flitnin për lirinë, për Flamurin e Vlorës, për Ismail Qemalin, për Cepon e për shumë gjëra. Herë më dëbonin, si duket flitnin gjëra të fshehta, që unë s'duhej t'i dëgjoja, herë dëgjoja babanë që bërtiste:
- Enver, thuaj nuses të na bjerë duhan dhe një tabak me kartë!
Bisedat zgjateshin. Në mur të qoshkut, afër penxheresë, babai kishte varur një fotografi, ku kishin dalë shumë burra të veshur me të zeza. Në mes tyre ishte edhe një plak me flokë dhe me mjekër të bardhë. Ishte Ismail Qemali.

Ismail Qemali

- Prapa tij, - na thosh babai, - jam edhe unë, ja, ky me sarëk të bardhë. Të gjithë ne jemi mbledhur në kuvend në Vlorë, kur ngritëm Flamurin, shpallëm Pavarësinë dhe formuam Qeverinë e parë të Vlorës, me Ismail Qemalë në krye. Po q'e do, zuzarët e poshtër të jashtëm s'na lënë rehat.
Kjo fotografi ishte nga gjërat më të dashura të shtëpisë sonë të vjetër që na u dogj. Mjerisht, kur na u dogj shtëpia, u dogj edhe sunduku me palla, edhe fotografia. Çdo gjë u dogj, vetëm një sahat i murit na shpëtoi.
Kërkova se mos gjeja ndonjë kopje të asaj fotografie të Vlorës, që varej dikur në shtëpinë që na u dogj, por më kot. Duhej të kalonin kaq dekada dhe më 28 Nëntor 1972, kur vizituam Muzeun e Pavarësisë ja, në një nga dhomat, unë shoh fotografinë aq të dashur për mua, fotografi e zmadhuar e Kuvendit të Vlorës. Ndenjta i shtangur, e shikoja, e shikoja dhe vazhdoja ta shikoja, saqë ciceroni, i cili kishte kohë që kishte mbaruar shpjegimet, u habit që po rrija aq shumë përpara saj.
- Mos u habit, - i them, - se gjeta një thesar që më kishte humbur.
E dashura .fotografi e rinisë sime! Sa kujtime të ëmbla dhe të hidhura më zgjon ti! Ti më kujtove, veçanërisht, jetën dhe luftën patriotike të baba Çenit, këtij burri të thjeshtë, që vdiq i thjeshtë e i respektuar. Askush nuk ia kujtoi ç'kishte punuar, veç Partisë sonë, e cila, si për gjithë patriotët e tjerë, shkroi edhe për baba Cenin dhe, gjithashtu, e dekoroi për aktivitetin e tij patriotik.
Mua, natyrisht, si i vogël që isha në atë kohë, më bënin përshtypje disa ndodhi, që atëherë ishte e zorshme t'i kuptoja të gjitha, por tash, me kalimin e viteve, ato marrin në thjeshtësinë e tyre dritën e vërtetë. Për mua ato ishin ndodhi familjare, por për të rriturit kishin tjetër kuptim.
Duhej të ishte një natë para 28 Nëntorit, domethënë 27 nëntor. Vendi ishte pushtuar nga grekët. Ishte krizë e madhe për çdo gjë, bukë me zor gjenim dhe atë aneja na e jepte çika-çika. Grekët kishin dashur ta hiqnin babanë nga belediereizi, kryetar i bashkisë së qytetit, por nuk e hoqën dot, pse protestoi populli, gjithë së toku, myslimanë e të krishterë.

Dhoma e pritjes

Atë ditë, pra, të 27 nëntorit më thirri babai, që rrinte në krye të divanit me një velenxë të bardhë në krahë, dhe më thotë:
- Vish këpucët, shko te Bido Tushja dhe i thuaj që më tha babai të më japësh një duzinë me qirinj. Në qoftë se të thotë s'kam, ti i thuaj me të qeshur, m'i jep, ndryshe nesër do të ta mbyllë dyqanin, më tha babai.
Unë vesha këpucët dhe ua mbatha këmbëve me të katra. Veja me qejf në dyqanin e xha Bidos, që ndodhej afër xhamisë së pazarit, mu në të hyrë të kubesë, pse atje më ngopej syri, kishte plot gjëra, kishte dhe llokume, edhe sheqerka. Xha Bidoja më fuste nga një sheqerkë në gojë, duke më cimbisur faqen. E gjeta xha Bidon me një burrë tjetër që po bisedonte.
- Ç'do djalë? - më tha xha Bidoja.
I dhashë porosinë e babait. Ai e shikoi atë burrin në sy dhe më tha mua:
- Ku gjenden qirinj në këto kohë te Bido Tushja, thuaj mulla Hysenit. Po të dojë qirinj, le të vejë t'i kërkojë dhespotit, se ai i ka grumbulluar për kishat.
Atëherë unë i lëshova «kërcënimin» e babait, duke e përfunduar me një të qeshur, se nuk dija si mund ta thosha «me të qeshur» që «babai do të të mbyllë dyqanin».
Xha Bidoja ishte njeri i mirë, ai e kishte shumë mik babanë. U ngrit në këmbë, më tërhoqi nga veshi afër bangos së tij plot me defterë gjithë pluhur dhe, duke hapur një sirtar, më tha:
- E shikon ç'është kjo?
Unë u tremba; ishte një pisqollë. Xha Bidoja më tha:
- I thuaj babait se nuk e mbyll dot dyqanin e Bidos, se ia zbraz në bark mulla Hysenit këtë kobure.
Përnjëherë më hipën xhindet. O, si donte xha Bidoja të na vriste babanë, që ne e donim aq shumë?! I them xha Bidos:
- Ti s'e vret dot baba Çenin, se ai të pret kokën me shpatë. - Bido Tushja dhe burri tjetër qeshën, kurse unë rrija i vrenjtur. Xha Bidoja u fut në qilar, që andej doli me dy pako qirinj, dhe, duke m'i futur nën sqetull, më tha:
- I thuaj mullait që Bidoja është dhelpër plakë dhe e di përse i duhen qirinjtë mullait, prandaj ia ruajta për këto ditë.
Unë u gëzova, mora qirinjtë dhe u nisa të ikja, po xha Bidoja më ndaloi.
- Prit, - dhe, duke dredhur një letër si fishek, mori nga kutia tri llokume, i futi në të dhe më tha: «Një koqe është për ty, një për Sanon dhe një për Balen, po vetëm nesër do t'i hani dhe jo sot».
- Si urdhëron, - i thashë xha Bidos dhe fryva.
Rrugës, me qirinjtë nën sqetull dhe me llokumet në dorë, po mendoja:
Ama ky, xha Bidoja, është njeri i mirë, po nuk marr vesh pse duhet të jesh dhelpër plakë që të kuptosh përse i do babai qirinjtë per të ndritur natën, kur hamë bukë, kur ai këndon libra, kur aneja qep dhe nënoja na thotë përralla.
Kështu bluante mendja ime e vogël rrugës, duke u kthyer në shtëpi për t'i dorëzuar babait porosinë. Por nuk do të ishte kështu. Në mbrëmje une do ta merrja vesh përgjysmë dhe të nesërmen e të pasnesërmen tërë kuptimin e vërtetë të blerjes së qirinjve.
Po atë ditë, kur u err, babai thirri anenë, i dorëzoi qirinjtë dhe i tha:
- Merri, nuse, këta qirinj, preji përgjysmë me thikë dhe vuri në penxheretë e odasë jashtë, vuri mbi një pjatë filxhani, që të mos na bëjnë pis.
- Si urdhëron, mulla! - i tha aneja dhe mori qirinjtë.
- Dale një çikë, moj nuse! - bërtiti nënoja, pastaj iu kthye babait:
- Hisen, lëri këto punë, se do të na marrësh në qafë, do të të surgjunosin në Moré.
- Mos u tremb Jeko, - iu drejtua s'ëmës, - se edhe po të më thërresin, xhevapin ua kam në xhep, as që ua kemi frikën zuzarëve, me nder... (dhe lëshonte nga kucuret e tija që nuk po i shkruaj). Ne bëjmë punën tonë, ata le të bëjnë të tyren.
Unë ndoqa anenë dhe, duke prerë qirinjtë, duke i vendosur në dritare dhe duke i ndezur, e pyesja:
- Ane, po pse i vëmë këta qirinj në penxhere?
- Se nesër është festa jonë, djalë, është Dita e Flamurit që u ngrit në Vlorë, ku kishte vajtur dhe mullai nga Gjirokastra. Po mos i thuaj njeriut, se na dogjën pastaj.
- Po pse thua na dogjën, ane, kur ne kemi festën tonë?
- Pse grekun e kemi armik, na ka zaptuar vendin dhe ne që festojmë Flamurin, duam të rrojmë të lire.
Tash e kuptova më qartë historinë e qirinjve. Kishte të drejtë xha Bidoja, «dhelpra plakë»; tash e kuptova pse më tha ai që llokumet t'i hanim vetëm të nesërmen, më 28 Nëntor, Ditën e Flamurit.
- Edhe xha Bidoja, - thosha me vete, - si duket, është si baba Çeni.
Kur u kthyem në dhomën e babait, i vajta afër dhe, pa i thënë asnjë fjalë, e shikoja, e shikoja, sigurisht me një ndjenjë të çuditshme, atë burrë me mjekër e me mustaqe të zeza ndenjur pajdash, me velenxë në krahë, duke kënduar një libër në dritën e zbehtë të idaresë, siç i thoshim në Gjirokastër, llambës me vajguri. Unë e shikoja dhe më dukej i madh, i fërkoja herë pas here gjunjët me dorën time të vogël. Ai më në fund më tha:
- Ç'më shikon ashtu sikur nuk më ke pare? Shko fli dhe nesër në mëngjes hajde se do të të jap disa grosh të blesh sheqerka, pse kemi feste, pa mos dëgjo ti ç'thonë gratë. Armiqtë s'kanë ç'na bëjnë!
Të nesërmen, më 28 Nëntor, në familjen tonë ishin në pritje çfarë do të ngjiste. Vetëm babai dhe ne të vegjlit s'çanim kokën. Unë hëngra llokumen që pa gdhirë, vajta në dhomën e babait dhe bërtita
- Rroftë Flamuri!
Më kujtohet një herë tjetër, kur akoma vazhdonte Lufta e Parë e madhe Botërore. Pasi u shporr ushtria greke, vendin e pushtoi ushtria italiane me ushtarë me pende e me topa, me mushka e me çiçibune. Uria mbretëronte. Aneja na thosh se miellit i hidhnin edhe pluhurin e dërrasave që sharronin italianët per ndërtimin e kazermave.
Në mëngjes, pasi hëngrëm trahananë, babai më mori me vete, duke më thënë:
- Hajde këtu djalë, se do të vemi në shtëpinë e Iljazit (Iljaz Hoxhës) t'i bëjmë një vizitë.
Unë u gëzova shumë. Xha Iljazin e doja, megjithëse edhe të bërtiste, po ai më kishte vënë emrin «në vesh», duke më kënduar në shqip dhe jo arabisht. Kisha qejf të veja te xha Iljazi, pse më jepte nga ndonjë ftua, disa kokrra arra o lajthi, si të ndodhej. Unë nuk u çudita, pse babai më merrte shpeshherë kur vente per vizita te Selim Bakiri, te Hasan Sinoja e të tjerë.
Kur hymë te xha Iljazi, ndjeva se diçka kishte ngjarë, po nuk e përcaktoja dot. Kishte njerëz në dhomën e madhe. E nduk babanë nga xhubja dhe i them:
- Baba, mos i ka vdekur njeri xha Iljazit?
- Jo, djalë, - m'u përgjigj plaku, - përkundrazi, sot kemi festën e Flamurit.
M'u çel fytyra. Në krye të odës ishte një prift me mjekër të bardhë, veshur me një raso të zezë dhe me një kryq të florinjtë në gjoks e me gurë me ngjyra. Unë u habita që prifti rrinte në krye dhe në ditën e festës sonë të madhe. I druajtur, u putha dorën të gjithëve me radhë dhe ndenjta në fund të odës, afër derës. Po shihja i habitur ç'do të bëhej këtu sot, më 28 Nëntor, nën pushtimin italian. Pasi u pi kafeja dhe mua më dhanë llokume, u ngrit xha Iljazi hapi dollapin e odasë, nxori andej një flamur me shkabë të zezë dhe e ngriti përpjetë, duke thirrur: «Rroftë Shqipëria e lirë!».
Të gjithë u ngritën në këmbë dhe bërtitën njëzëri: «Rroftë Shqipëria e lirë!». Më thirri xha Iljazi dhe më tha:
- Zëre flamurin nga të dy cepat, ngrije lart, siç bëra unë, dhe çojua të tërëve me radhë ta puthin.
Edhe unë ashtu bëra. Natyrisht, të parit ia çova baba Çenit, pse për mua të voglin ai dhe flamuri ishin një. Të gjithë e puthën, edhe prifti e puthi. Unë u çudita që e puthi edhe prifti. Pas kësaj ceremonie pleqtë filluan muhabetin, kurse unë dola në kopsht dhe prisja sa të dilte babai. Kur dolën ishte vonë, burrat kishin hedhur atje brenda nja dy gota. Rrugës e pyeta plakun:
- Po ai prifti kush ishte baba?
- Si, nuk e di, - më tha, - ai është Papapanoja, patriot i flaktë. Sa për të thënë e mban rason dhe kamillafin, se nuk beson në Krishtin, aq sa nuk besoj edhe unë në Muhamedin. Ne kemi një «perëndi», Atdheun, Shqipërinë. Të gjitha të tjerat janë gjepura. Ai, prifti, është babai i mësuesit tënd të shquar, patriotit Thoma Papapano.
- Thomanë unë e dua shumë, baba, - i thashë, se më mëson shqipen, kurse mulla Kamanin nuk e dua, se ai kërkon të na mësojë turqishten.
Që atë ditë të 28 Nëntorit unë u bëra mik me Papapano Cuçin. Ai rrinte në Varosh, afër shtëpisë së dajkos tim. E takoja në rrugë priftin, ndalesha, i puthja dorën, më gëzonte kokën dhe më thosh: «Shko rregullisht në shkollë, bir, se ajo do të të hapë sytë».
Më kujtohen 28 Nëntorët e mëvonshëm, pas Luftës heroike të Vlorës, kur vendi u çlirua edhe nga italianët. Unë isha më i rritur atëherë, festën e Flamurit e bënim hapët, venim me shkollë përpara «huqumetit» dhe atje mbaheshin fjalime. Aneja mua më kishte bërë edhe një sharp të kuq me shqiponjë në mes, që e futja nga koka dhe e mbaja në gjoks.
Më kujtohet, që në një nga këto festa, zoti Xhafo Poshi ma dha ta mbaja unë flamurin. Ç'gëzim i papërshkruar! Kur u kthyem nga ceremonia, duke zbritur pazarin me flamurin në sup, takoj baba Çenin, i cili më thotë:
- A të duket i rëndë në sup ai flamur ?
- Jo, baba, - i thashë.
- Ai është i rëndë, djalë, - më tha plaku, - pse mban gjithë historinë e popullit tonë. Sidomos në kohë rreziku ta mbash fort, ta ngresh lart dhe të mos e lësh kurrë të rrëzohet përdhe.
Këto kujtime të largëta të rinisë sime m'u ringjallën në 60-vjetorin e Pavarësisë, kur erdhëm në Vlorë për të festuar këtë ngjarje historike. E ndjeva veten të lumtur, kur u ndodha përpara fotografisë së Kuvendit të Vlorës, ku ndodhej dhe babai.
Ai ishte 60 vjet para meje në Vlorë. Unë atëherë isha 4 vjeç, por jeta e tij, mësimet e tij lanë mbresa të thella në ndërgjegjen time. Ato më rritën me frymën patriotike dhe unë jam kryelartë për baba Cenin e thjeshtë, trim dhe patriot.

 

 

Letrat e lexuesve
E re Arkivi E re