klieshe

Nga shtypi dhe mediat elektronike

 

 

“JU TREGOJ PEMËN E FAMILJES TË ENVER HOXHËS”

Logo Tirana Observer

 

Shkruan: Armand JONUZI
(www.pashtriku.org-15.06.2007 / 10:25)

------------------

Deri më sot kemi njohur vetëm një pjesë të jetës së Enver Hoxhës, atë që lidhet me aktivitetin politik. Por burimet arkivore si dhe të dhëna të tjera na sjellin në duar atë që quhet gjeneza dhe bekgraund-i i familjes së tij. "Tirana Observer" boton për herë të parë pemën gjenealogjike të Enver Hoxhës. Kush ishin paraardhësit e tij, i ati, Halili dhe e ëma Gjyle, por edhe pasardhësit. Në një intervistë, Mexhit Kokalari rrëfen se si e zbuloi këtë dokument tepër të rrallë si dhe më të rëndësishmen si u konvertuan të parët e Enverit nga katolikë në myslimanë.

 

Enver Hoxha

 

Si e zbulove pemën e gjenealogjike të familjes së Enver Hoxhës?

Unë, si gjirokastrit, jam nga lagja Palorto e qytetit të Gjirokastrës. Në vijë të drejtë shtëpia ime me atë të Enver Hoxhës mund të jetë rreth 200 metra. Pavarësisht se jam jurist, prej kohësh jam marrë edhe me studime historike. Këtë e kam bërë për të nxjerrë historinë ashtu siç është. Unë kam shkruar shumë libra me tema historike. Midis dokumenteve arkivore që kam studiuar, kam zbuluar edhe historikun e qytetit të lashtë të Gjirokastrës.
Unë këtë gjë e kam zbuluar nga një dokument që e kemi trashëguar nga xhaxhai i Enver Hoxhës, Hysen Hoxha. Dokumenti ishte i shkruar në turqisht, madje më vonë në atë dokument ai kishte shtuar edhe anëtarët më të rinj të familjes. Në bazë të atij dokumenti dilte se i pari i fisit të tyre të dikurshëm ishte Kolë Gjoni. Xhaxhai i Enver Hoxhës, Hyseni e kishte përkthyer atë nga turqishtja në shqip dhe e kishte bërë në disa kopje. Pesë nga këto kopje ai ua kishte shpërndarë disa miqve dhe fqinjëve të tij, ndër të cilët bënte pjesë edhe familja ime. Me pak fjalë kjo ishte arsyeja se si unë zbulova pemën e gjenealogjike së familjes së ish-udhëheqësit komunist.


Pse e ndryshuan mbiemrin paraardhësit e ish-udhëheqësit komunist Enver Hoxha?

Në vitin 169-para erës sonë, Pirroja i Epirit që sundonte këto vende, ky vend quhej me emrin Epir. Pasi emri Gjirokastër ka dalë shumë vonë. Në vitin 1419 Gjirokastra u pushtua nga turqit, të cilët bënë shumë shkatërrime. Pas dy shekujsh Gjirokastra u ripërtëri përsëri, por kryesisht nga të ardhurit nga rrethe të tjera, të cilët u vendosën kryesisht rreth kalasë së Gjirokastrës. Midis tyre ka ardhur nga fshatrat përreth edhe familja e Kolë Gjonit me profesion mullixhi. Ai zuri me njerëzit e tij një vend jashtë kalasë. Kolë Gjoni së bashku me familjen e tij u kthye në mysliman dhe bëri edhe një punë të madhe për kthimin e një pjesë të madhe të popullsisë së asaj zone nga të krishterë ortodoksë në myslimanë. Për kontributin e tij autoritet qeveritare i dhanë mbiemrin Hoxha. Kolë Gjoni në lagjen Palorto ngriti edhe mullirin që punonte me kuaj. Konkretisht në kopshtin e sipërm të Hamdi Tartale. Veglat e mullirit gjenden edhe sot në katuan e Abedin Hoxhës. Ku sot banon rrobaqepësi Sabaudin Kodra. Sot ngjitur me shtëpinë e Enver Hoxhës, e cila u dogj në vitin 1913 nga pakujdesia ndodhet edhe shtëpia e Avdyl Kolës, i cili nuk e ndryshoi mbiemrin. Kjo është me pak fjalë historia se si e ndryshuan mbiemrin paraardhësit e Enver Hoxhës.


Nga e kanë prejardhjen?

Mjafton t ë dimë që pasuria tokësore e prindërve të Enver Hoxhës dhe andej mund të nisemi për të zbuluar se nga ka ardhur Kolë Gjoni me rrethin e tij.


Nipërit dhe mbesat e Enver Hoxhës

Shtatë janë nipërit dhe mbesat e ish-udhëheqësit komunist Enver Hoxha. Ai pati tre fëmijë nga të cilët dy djem, Ilirin dhe Sokolin, si dhe një vajzë, Pranverën. Nga martesa e djalit të madh të Enver Hoxhës, Ilirit me Teutën, çifti solli në jetë tre djem. Ndërsa, Pranvera ka dy fëmijë nga martesa e saj me Klement Kolanecin. Edhe Sokoli nga martesa e tij me Liljanën pati dy fëmijë.


Rei si Enveri, lindi më 16 tetor

Pinjolli i fundit i familjes Hoxha quhet Rei Hoxha. Ai është fëmija i vogël i Ermal Hoxhës, djalit të madh të Ilir Hoxhës, dhe nipit të ish-udhëheqësit komunist. Si për koincidencë, Rei Hoxha, ashtu si edhe stërgjyshi i tij, Enver Hoxha, ka lindur në një ditë me të në 16 tetor 2000. Rei është 6 vjeç e gjysëm dhe këtë vit do të futet në klasë të parë.


JETËSHKRIMI

Emri: Enver
Mbiemri: Hoxha
Datëlindja: 16 tetor 1908
Vendlindja: Gjirokastër


Arsimimi

Mësimet e para i mori në Gjirokastër, ku dhe ndoqi studimet në Liceun e Gjirokastrës.
Në vitin 1930 shkoi të studionte me një bursë studimi shtetërore, në Fakultetin e Shkencave Shoqërore në Montpeljes të Francës, por shumë shpejt e la. Pas një viti në Fakultetin e Biologjisë ai shkoi në Paris ku kërkoi të studionte në Fakultetin e Filozofisë.
Në nëntor të 1933-ës la Parisin për të punuar si sekretar në Konsullatën Shqiptare në Bruksel. Aty filloi studimet universitare në Fakultetin e Jurisprudencës dhe vazhdoi me korrespondencë studimet e filluara në Paris. Për shkaqe politike u pushua nga puna dhe në vitin 1936 u kthye në Shqipëri.


Aktiviteti politik

Më 1936 u njoh me Ali Kelmendin. Më pas hyri në Grupin Komunist të Korçës, dhe filloi të punojë si profesor në Liceun Francez të Korçës.
Më 7 Prill 1939 me pushtimin e Shqipërisë nga Italia Fashiste u pushua nga puna si profesor në Liceun Francez për shkak se nuk pranoi të regjistrohej në partinë fashiste shqiptare. Nga Korça shkoi në Tiranë ku filloi të punoje si profesor në Gjimnazin Shtetëror, nga ku pas një kohe të shkurtër u pushua nga puna. Me ndihmën e disa shokëve gjeti punë në një dyqan cigaresh ku u ndihmua nga komunistët jugosllavë për krijimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë.
Me themelimin e saj më 8 nëntor 1941, ai u zgjodh si anëtar i Komitetit Qendror Provizor. Pas përpjekjeve për formimin e Frontit Nacionalçlirimtar u dënua me vdekje në mungesë nga gjykata fashiste.
Në mars 1943, në Konferencën e Parë të Partisë Komuniste u zgjodh si sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë.
Në vitet 1945-1954 ai ishte kryeministër i Shqipërisë dhe në vitet 1946-1953 ai mbante edhe postin e ministrit të Jashtëm. Enver Hoxha mbante edhe gradën gjeneral. Enver Hoxha vdiq më 11 prill 1985 në Tiranë.