klieshe

LNÇ (PKSH)

 

Përgjatë kalvarit të shekujve

Dr. Vangjel Kasapi

Përgjatë kalvarit të shekujve të jetë-historisë së kombit shqiptar për liri, çlirim, vetëvendosje dhe përparim njerëzor nga shumësia e ndërhyrjeve dhe pushtimeve të huaja, Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare sintetizon epopenë më madhore shumëdimensionale mbarëkombëtare. Madje, të vetmen luftë të armatosur popullore, që me një ushtri të mirëfilltë të rregullt u kurorëzua me fitore, të krahasueshme me Nëntorin 1912. Ajo luftë mbartë vlerat më vitale të kombit dhe racës shqiptare: atë të bashkimit e të fuqishmërisë, të organizimit e të udhëheqjes, të rezultateve brenda vendit dhe të ndihmesave për popujt fqinj. Shqipëria nuk ka shënuar ndonjëherë ato përfundime që dha në këtë ndeshje të pabarabartë të radhës. Lufta ANÇ në Shqipëri figuron përbërëse e Luftës Antifashiste Botërore dhe përcjell me krenari po ato përfundime e vlera antifashiste të përbotshme. Populli ynë e nisi i pari rezistencën (prill, 1939), aderoi menjëherë me pjekuri të lartë në Koalicionin AFB (dhjetor, 1942) dhe meriton ndër vendet e para fitimtare për kontributet e dhëna e sakrificat e bëra. Nën këtë vështrim hark-kohor 1939 - 1945, ishte hera e parë që Shqipëria përfshihet në një front botëror lufte të drejtë, përkrah fitimtarëve të paqes, të progresit e të demokracisë. Populli ynë dinjitohet si partner i barabartë ndërmjet shteteve dhe popujve pjesëmarrës në koalicionin botëror kundër boshtit luftë-shpërthyes.
Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare rroku mbarë hapësirën etnike gjeografike-njerëzore me afro 2.5 milionë banorë të rreth 52 mijë km² Shqipërinë, Kosovën, trevat shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi dhe Çamërinë. Për interesat supreme dhe substancionale, një komb u ngrit peshë nën një bashkim, solidaritet lufte dhe ndihmë të përveçme, pa diferencime krahinore, idesh, pasurie e besimesh. Themelet e bashkimit kombëtar e të ardhmërisë së shtetit të uzurpuar nga pushtuesit u hodhën në Pezën e traditave të shquara të Myslim Pezës (shtator, 1942) e në Bujan (Tropojë, dhjetor 1943) nëpërmjet përfaqësimit pluralist të forcave politike shqiptare të asaj periudhe. Populli i zgjuar politikisht shqiptar, i mësuar për historinë, nuk u mashtrua e as ushqeu iluzione nga propaganda dhe dhuna e egër fashisto-kolaboriste. Përkundrazi, guxoi, u organizua dhe u ballafaqua me dy agresorë të fuqishëm - Italinë fashiste e Gjermaninë naziste, me ushtri moderne dhe me përvojë luftërash të mëdha. Në hapësirën etnike u angazhuan 15 divizione armike me rreth 170 mijë trupa (100 italiane e 70 hitleriane). Në ecurinë e Luftës II Botërore, nëpër teatrin etnikisht shqiptar shkelën dhe u manovruan rreth 1 milion, ose 25 fashistë për 1 km2. Pushtimi dhe gjenocidi nazifashist goditi rëndë ndërgjegjen kombëtare dhe shkretoi hapësirën e begatshme shqiptare. Por ky vend, sado i vogël, nuk u nënshtrua e as u asimilua. Vendi u shndërrua në fushë luftërash dhe kryeura sulmesh kundër fqinjëve (Greqisë, tetor 140 dhe Jugosllavisë, prill 1941). Ky komb paqedashës dhe fqinjës solidar, i sabotoi ato marshime të fashizmit drejt Ballkanit, duke u vetësakrifikuar.
Lufta AF dhe NÇ quhet e gjatë, mbarëpopullore dhe shumëformëshe (partizane, frontale dhe e gërshetuar). Përfshirja e popullit në luftë s\'mund të krahasohet me asnjë popull tjetër: Për çdo 15 banorë pati 1 luftëtar, ose 10-12 % e popullsisë u rreshtua në fuqinë e armatosur popullore. Ajo epope, nga pikëpamja kohore, zgjati 6 vjet e 2 muaj (prill 1939 - nëntor 1944). Mandej, për 5 muaj, deri prill 1945, ajo vazhdoi përtej kufijve. Kjo luftë popullore, brenda një lufte botërore, u kushtëzua dhe u zhvillua e shkallëzuar në disa faza të pandara, të cilat përgatitën dhe pasuan njëra-tjetrën deri në kurorëzimin e fitores. Ato etapa patën karakteristika të përbashkëta, por u dalluan edhe për veçoritë specifike të secilës fazë e të çdo treve shqiptare. Lufta Antifashiste e shqiptarëve në Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni synonte dhe u gërshetua edhe për çlirimin nga kolonializmi e shovinizmi sllavo - serb. Mirëpo kjo dyfishësi politiko-ushtarake nuk u arrit të plotësohet për shkak të qëndrimeve e zgjidhjeve që Fuqitë e Mëdha (BS, SHBA, Anglia) mbajtën në atë periudhë postlufte në Postdam (1945). Duhej të kalonin 63-vjet që të mund të përmbushen disa nga ato objektiva themelore.
29 Nëntori 1944, kjo ditë dhe datë lapidare, e nxitur nga qarqet antishqiptare dhe elementi antikombëtar, është bërë objekt kontestimi, nga ata që humbën dhe s\'kanë asnjë të drejtë. Çlirimtarët e veteranët e sotëm të 5 brigadave sulmuese dhe GrP të Shkodrës, Br VI, VII, XVII, XXIII, XXIV, nëpërmjet historikëve dhe deponimeve dëshmojnë në mënyrë të pakontestueshme se rreth orës 08.00 të mëngjesit të 29 Nëntorit hyjnë triumfator, parakaluan dhe bashkëfestuan në një miting popullor, me qytetarët patriotë të Shkodrës, ditën më të shenjtë të çlirimit të plotë të atdheut nga thundra nazifashiste. Në dokumentet e SHP të Wermachtit gjerman, në mënyrë eksplicite shkruhet: \"Më 29.11.1944 u zbraz Shkodra nga praparoja e korpusit dhe pozicioni mbrojtës në Veri u mbajt akoma për një farë kohe\". Këshilli NÇ për Shkodrën lëshonte traktin: \"Drejt çlirimit, që mban datën 28 Nëntor\" dhe komunikatën e 30 nëntorit të Çlirimit më 29 Nëntor. Komanda e Përgjithshme e UNÇSH-së urdhëronte brigadat partizane më 28 nëntor se \"Detyrat që keni përpara janë ende të mëdha. Qyteti i Shkodrës ndodhet ende në duart e okupatorit...\". Gazeta \"Bashkimi\" jepte njoftimin interesant më 30 nëntor se \"Shqipëria feston me madhështi 28 - 29 Nëntorin\". E çimentojnë ditën 29 Nëntor të Çlirimit të Shqipërisë edhe dy përshëndetjet nga SHBA-ja e Britania e Madhe, përkatësisht nga sekretari i Shtetit për Punët e Jashtme, Stetiniuss, dhe ushtarakët e lartë britanikë, gjenerali Persi e koloneli Hill. Plus argumenteve të tjera të së vërtetës dhe realitetit historik, \"Nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë arsye që të kontestohet e të vihet në dyshim data e çlirimit të Shqipërisë nga nazifashizmi më 29 Nëntor 1944. Kontestimi i kësaj madhështie, i njohur dhe i konfirmuar brenda e jashtë vendit, bëhet vetëm për qëllime politike, për të venitur deri në mohim të kësaj date të fitimtarëve, të asaj ngjarje të madhërishme, të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Prandaj le ta lëmë të pagërvishtur arkitekturën e 29 Nëntorit, për ta mbajtur historinë, brezat pambarim të këtij kombi, të përputhur e të dashuruar me realitetin e krenarinë e Shqipërisë sonë të adhuruar, me atë imazh që konturoi bashkë me 21 kombet e tjerë të botës antifashiste.