klieshe

 

Shqipëria nuk mund të preket e të copëtohet më si në kohët e kaluara

 

As që kisha ndër mend të flisja sot për marrëdhëniet tona me Jugosllavinë, pse qëndrimet tona shtetërore ndaj këtij vendi i kemi shprehur me mijëra herë dhe mbetemi në ato që kemi thënë. Por detyrohem të flas, sepse krerët e Beogradit jo vetëm kanë bërë veshin e shurdher për sa kanë vënë në dukje Partia dhe Qeveria jonë, por me të gjitha mjetet propagandistike e diplomatike kanë ngritur një fushatë të tërë shpifjesh e sulmesh kundër Shqipërisë socialiste e politikës së saj të qartë si drita e diellit. Për 40 vjet me radhë, për të mos u ngjitur më lart, krerët e Beogradit kanë nxitur sllavët e Jugut, dhe veçanërisht serbët, të rrojnë kurdoherë në armiqësi me shqiptarët që banojnë në trojet e veta në Jugosllavi, ashtu edhe me Shqipërinë e pavarur socialiste. Kjo armiqësi ndaj shqiptarëve, ky shovinizëm i egër, kjo përbuzje, kjo prirje dhe ky oreks i papërmbajtur për të aneksuar Shqipërinë, janë ataviste në ta. Çka e bën akoma më të rrezikshme çështjen është se popujt e tjerë sllavë të jugut s'kanë guximin ta ndalojnë këtë valë egërsie.

Në kohën e Luftës Nacionalçlirimtare ne i deshëm sinqerisht jugosllavët. Titon e kemi respektuar dhe nderuar më shumë se ç'e meritonte. Dërguam njësi të mëdha partizane, që luftuan krah për krah me njësitë partizane jugosllave dhe kosovare shqiptare në Jugosllavinë Jugore e Qendrore. Me qindra e qindra bija e bij heroikë të Shqipërisë ranë dhe u plagosën për çlirimin e Jugosllavisë, kurse tash na del një qen serb, me emër Sinan Hasani, që hedh baltë mbi gjakun e tyre. Ai bile arrin deri atje, sa të thotë se janë jugosllavët që formuan Partinë tonë, që organizuan Luftën Nacionalçlirimtare Shqiptare dhe i dhanë çdo gjë Shqipërisë. Por le të lehë, ai për atë punë paguhet.

Titoja dhe shokët e tij, si më parë dhe deri në këtë moment që po flas, dorën tonë miqësore gjithnjë e kanë refuzuar dhe kanë bërë çmos ta pritnin. Për 40 vjet me radhë, Titoja dhe pasuesit e tij, haptazi dhe nëpërmjet agjenturave të fshehta, kanë kurdisur vazhdimisht komplote për të shkatërruar Shqipërinë socialiste, për të shkatërruar Partinë tonë, për të eleminuar fizikisht shokë kryesorë të udhëheqjes. Këtë u orvatën të bënin edhe me agjentin e tyre të vjetër, tradhtarin Mehmet Shehu. Por të gjitha komplotet e tyre dështuan dhe kurdoherë do të dështojnë.

Dikur krali serb, Karagjorgjeviçi, me bandat rusomëdha të Vrangelit, solli në Shqipëri agjentin e tij, banditin Ahmet Zogun, i cili, si tradhtar i madh i atdheut, i dha Jugosllavisë dhuratë për këtë ndihmë, Shën-Naumin e Pogradecit dhe Vermoshin. Këtë gjë duan të bëjnë edhe sot krerët e Beogradit me bandat kriminale, terroriste të njëfarë vagabondi dhe trafikanti armësh, drogash dhe grash, Leka Zogu, të cilit, për çudi, një vend mik i yni i jep strehim dhe e lejon të japë intervista për shtypin dhe të bëjë thirrje për përmbysjen e pushtetit popullor në Shqipëri. Ne e kemi të faktuar se janë titistët jugosllavë ata që dërguan në bregdetin tonë grupin e banditëve të Xhevdet Mustafës, të cilët, pa marrë akoma frymë dhe pa e parë diellin e Shqipërisë, i shpartalluan pa mëshirë. Në momentin e përshtatshëm bota do t'i marrë vesh në hollësi ndodhinë dhe qëllimet e saj. Por e rrezikshme është ajo që jugosllavët, duke shkelur sovranitetin e dy vendeve mike tona, përgatitën dhe hodhën kriminalë te ne. Të përgatitësh banda terroriste dhe t'i hedhësh në një vend tjetër, është një akt i rëndë kriminal, i dënueshëm në praktikën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Në momentin më të përshtatshëm për ne bota do ta marrë vesh në hollësira ndodhinë, kush e përgatiti e si e përgatiti, por tashti ne duam vetëm t’u themi titistëve jugosllavë: Mos luani me zjarrin, se, po filloi zjarri, do të digjeni vetë në të. Ne mbrohemi dhe dimë të mbrohemi, dimë të luftojmë dhe dimë të fitojmë mbi çdo armik. Por ne s'e duam këtë rrugë të errët e me plot rreziqe që ndiqni ju. Megjithatë, në rast se na e impononi, edhe ne do t'ju përgjigjemi. Ne u themi udhëheqësve jugosllavë të mos shkojnë nga kjo rrugë pa krye e me shumë rreziqe për të dy vendet tona, për Ballkanin, mundet edhe për Evropën. Ju popuj sllavë të jugut, jeni përgjegjës se lejoni serbomëdhenjtë të ndezin urat e zjarrit, në vend që t'i bëni ata të arsyeshëm dhe t'i detyroni të kthejnë rrugë, t’u përmbahen parimeve e praktikave të fqinjësisë së mirë me Shqipërinë socialiste dhe të vendosin sjellje normale e paqësore me shqiptarët që rrojnë në trojet e veta në Jugosllavi.

Ne kemi bindjen se te popuut e tjerë sllavë të jugut, përfshirë këtu edhe serbët, ka elementë përparimtarë. Përveç rrugës së një kthese politike në qëndrimet ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve që rrojnë në Jugosllavi, nuk ka rrugë tjetër zgjidhjeje. Ne do të vazhdojmë rrugën që caktoi Kongresi i 8-të i PP të Shqipërisë, raportin kryesor të të cilit udhëheqësit jugosllavë e lexuan së prapthi. Propozimet tona ishin sa të urta, aq dhe pajtuese, kurse rruga juaj është me shumë rreziqe për Jugosllavinë, të cilën ne duam të qëndrojë kështu siç është. Ju nuk i merrni seriozisht fjalët tona, që janë shprehje të ndjenjave të sinqerta të popullit shqiptar. Por kjo është keq për ju, për Ballkanin, mundet edhe për Evropën. Bota do t'ju ngarkojë me përgjegjësi të rëndë.

Disa qeveri të vendeve të Evropës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po luajnë me ndjenjat dhe me interesat tona. Ne u themi atyre se nuk mund të luhet si përpara me Shqipërinë dhe me interesat e saj. S'janë më kohët e kaluara, kur fatet e vendit tonë mund të merreshin lehtë nëpër këmbë dhe kur prekej e copëtohej Shqipëria. U themi njerëzve megalomanë dhe keqbërës se ne nuk përgatitemi të sulmojmë kurrkënd. Në qoftë se ata përgatisin lodra të rrezikshme kundër nesh, mund të hysh kollaj në valle, por s'do të dalësh dot i gjallë.

Vëllezërit tanë shqiptarë, që jetojnë në trojet e tyre në Jugosllavi, si kurdoherë, ne do të vazhdojmë t'i mbrojmë me të gjitha forcat e zemrës në të drejtat e tyre që ua njeh kushtetuta. Asnjë dyshim të mos kenë për këtë si jugosllavët, ashtu edhe opinioni botëror. Kjo është e njohur nga e drejta ndërkombëtare dhe kështu veprohet nga të gjitha ato shtete gë kanë minoritete përjashta.

Në Kongresin e 8-të të PP të Shqipërisë ne e bëmë të qartë qëndrimin tonë ndaj Jugosllavisë dhe mbetemi të patundur në këtë qëndrim. Shkatërrimi dhe shpërbërja e Jugosllavisë nuk do të vijë kurrë nga ne. Ne jemi për stabilitetin e Federates. Por shovinistëve serbomëdhenj, maqedonas e malazez nga një vesh u hyn dhe nga një vesh u del fjala jonë pajtuese. Atyre u janë errësuar sytë nga shovinizmi dhe megalomania. Kur ne u bëmë thirrje arsyes dhe logjikës së shëndoshë, ata vazhduan terrorin më të egër kundër shqiptarëve që jetojnë në tokat e tyre në Jugosllavi. Ata kanë hedhur nëpër burgje me mijëra djem e vajza heroike të Kosovës, të cilët i torturojnë barbarisht dhe u kanë ngjitur një mijë epitete ofenduese. Ne u themi jugosllavëve të lirojnë të rinjtë nga burgjet, se shqiptari nuk mund t'i durojë gjatë të tilla shkelje, që u bëhen nderit të të rinjve dhe të rejave të tij, të drejtave të tyre. Ju serbomëdhenj dhe sahanlëpirës të serbëvë, Fadil Hoxha, Ali Shukria, Azem Vllasi, Sinan Hasani e të tjerë, shqiptari i vërtetë ju urren, ai u bën gjëmën tradhëtarëve dhe armiqve të tij. Ju e njihni kokën e shqiptarëve, mos e mbushni kupën, se përgjigjja mund të jetë me rreziqe të mëdha.

Tërë Kosova dhe viset shqiptare në Jugosllavi janë vënë nën një presion të egër shovinist ushtarak. Asgjë atje s'ka ndryshuar pas masave të egra shtypëse që u morën kundër demonstratave revolucionare. Tash po zhvillohet në gjerësi "diferencimi", që do të thotë spiunimi i shqiptarëve nga shqiptarët në favor të forcave të errësirës serbe. Por kosovarët nuk mund ta pranojnë këtë rrugë të turpit, mbasi ajo çon në vëllavrasje, kurse serbomëdhenjtë do të qeshin e do të fërkojnë duart.

Serbët po nxitin hakmarrjen në mes shqiptarëve. Kosova po mbulohet në varfëri dhe në varre. Njerëzit s'dinë ku i kanë djemtë e vajzat. Inteligjencia shqiptare po kositet, atë e ofendojnë, e poshtërojnë, e lënë rrugëve. Të tilla persekutime s'kanë ngjarë veçse në kohën e inkuzicionit. Jo, populli shqiptar që jeton në Jugosllavi nuk do të lejojë t'i shtypet çdo gjë e shenjtë kombëtare. Shqiptari në çdo kohë e në çdo vend, kur i shkelin lirinë dhe të drejtat e ligjshme, s'e ka ulur kurrë kurrizin dhe asnjëherë s'i ka kthyer krahët armikut.

Ju, zotërinj të Beogradit, dërguat në Kosovë 60 mijë ushtarë serbë për të shtypur e për të vrarë kosovarët dhe për të frikësuar Shqipërinë socialiste. Ne nuk frikësohemi, ne gati jemi, në këmbë si një trup. Ju flitni me gjuhën e forcës, kur ne përpiqemi të flasim me gjuhën e arsyes. Por edhe ne dimë të flasim me gjuhën e forcës. Shqipëria është një nyjë nevralgjike dhe strategjike. Evropa duhet të ketë parasysh këtë. Disa tallen me fortifikimet tona, ndërsa vetë armatosen deri në dhëmbë e me çdo lloj armësh, të tjerë e nënçmojnë forcën tonë. Aq më keq për ta. Disa gazetarë, që shkruajnë për të marrë ryshfete, disa politikanë të kafeneve, me "analizat e planeve strategjike" të tyre dhe serbomëdhenjtë, në radhë të parë, përhapin ide dhe bëjnë insinuata se në këto ose në ato koniunktura, bile në të tëra koniunkturat, Shqipëria do të gëlltitet nga rusi, do të anojë nga sovjeti etj.

Ne u themi serbomëdhenjve, miqve të sigurt e të fshehtë të rusëve, se dy rrugë ka për revizionistët ruso-bullgarë që të sulmojnë Shqipërisë për të dalë në pjesën e Adriatikut tonë. Njëra është rruga e Vardarit dhe e Kosovës dhe tjetra kanali i Otrantos. Në rastin e parë, pa as më të voglin dyshim, gjithë populli shqiptar, që jeton në Kosovë e në vise të tjera të Jugosllavisë, që nga Shkupi, Kaçaniku, nga Tetova e Gostivari, nga Llapi e Plavë-Gucia, do t'i presin agresorët me pushkë. Zjarr do të ndizet edhe tërë Jugosllavia dhc invadorët revizionistë ruso-bullgarë, po të arrijnë në alpet tona, do të vijnë si nazistët gjermanë kur dolën nga Stalingradi.

Në rastin e dytë, kyçin e Otrantos e kemi ne, shqiptarët, Sazani dhe Karaburuni, pa pasur frikë se them ndonjë sekret, janë shkëmbinj të veshur me hekur e beton, ku s'kalon dot flota ushtarake sovjetike.

Merreni këtë për një "bravadë", kjo është keq për ju dhe mirë për ne. Në të tilla aventura, në rast se dëshirojnë të futen armiqtë ruso-bullgarë e të tjerë, duhet të dinë se shqiptarët nuk janë një shtet prej 3 milionësh, por një komb prej 6 milionësh. Populli i vogël ishte ky yni në Luftën e Dytë Botërore, por, vetëm për vetëm dhe i paarmatosur, theu e likuidoi një numër të konsiderueshëm divizione fashistësh italianë e nazistësh gjermanë. Tash kohët kanë ndryshuar në favorin e Shqipërisë socialiste, prandaj: Larg duart nga Shqipëria!

Shqipëria nuk kërcënon kurrkënd, ajo dëshiron të rrojë në miqësi rne të tjerët, por, po t'i prëken të drejtat dhe kufijtë e saj, do t'i përgjigjet në mënyrën më të rreptë padrejtësive dhe ofezave që mund të përdorë ndokush kundër saj.

Çiltër po flas dhe ky është mendirni i patundur i gjithë popullit tonë. Ç'mendojmë, i themi, të tjerët s'kanë munguar të flasin kundër nesh, bile ata shpifin. Ne asgjë të pabazuar dhe shpifje nuk bëjmë. Këtu qëndron edhe forca jonë, prandaj popujt përparimtarë kanë respekt për Shqipërinë socialiste, ashtu sikundër edhe ne kemi shumë respekt për ta. Për këtë qëndrim të drejtë e dashamirës ne i falënderojmë nga zemra.

Zotërinjtë udhëheqës jugosllavë ia njohin vetes të drejtën për të ngritur zërin për "padrejtësitë" që bullgarët, grekët ose shqiptarët u bëkan maqedonasve të Pirinit e të Egjeut dhe pakicave fare të vogla maqedonase në Shqipëri, kurse ne, sipas tyre, nuk e paskemi këtë të drejtë. Ata na akuzojnë se "ndërhyjmë" në punët e tyre të brendshme kur mbrojmë të drejtat e vëllezërve tanë brenda ligjeve të Federatës, që jo vetëm ua shkelin, por edhe i vrasin, i burgosin, i dëbojnë në emigracion, kurse në vendlindjet e tyre i zëvendësojnë me kolonë serbë dhe malazez.

Eshtë zoti Stamboliç ai që hodhi parullën "Kosova etnikisht e pastër", që gjoja e kërkonin "nacionalistët shqiptarë". Kjo nuk është parulla e shqiptarëve, po e serbomëdhenjve, e hedhur për të mbytur në gjak Kosovën. Kjo politikë terrori i trembi me të drejtë serbët dhe malazeztë, që filluan të largohen nga frika dhe nga varfëria që mbulon Kosovën. Këtë krim serbomëdhenjtë kërkojnë t'ua hedhin tani shqiptarëve, kurse janë ata vetë përgjegjës për shpërnguljen e serbëve e të malazezve.

Tetor 1982