klieshe

 

Enver Hoxha Kur lindi Partia

 

ENVER HOXHA

Kur lindi Partia

Kujtime


«Kur lindi Partia» është libri i parë në serinë e kujtimeve të shokut Enver Hoxha për periudhën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Materialet e këtij libri, të shkruara gjatë viteve 1975-1976, u kushtohen luftës dhe përpjekjeve të komunistëve shqiptarë për krijimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë, kurorëzimit të këtyre përpjekjeve më 8 Nëntor 1941 dhe ngjarjeve kryesore të jetës dhe tè veprimtarisë sé Partisë Komuniste të Shqipërisë gjatë viteve të Luftës Nacionalçli-rimtare.
Ky libër, i botuar me rastin e 40-vjetorit të Themelimit të Partisë, e bën akoma më të plotë dhe konkrete njohjen e asaj periudhe të lavdishme të historisc së popullit e të Partisë sonë.

 

NË ATO DITË E NETË KUR LINDI PARTIA

 

Përballë pushtimit

Pushtimi i atdheut nga Italia fashiste, më 7 prill 1939, ishte për popullin tonë një nga ngjarjet më të hidhura të historisë. Sidomos për ne, komunistët shqiptarë të asaj kohe, kjo ngjarje e rëndë ishte jo vetëm burim i dhimbjes më të thellë, por edhe rënie e alarmit më të madh. Misioni ynë, si komunistë, ishte që në ato ditë të ngrinim popullin në këmbë, të viheshim në ballë të tij, ta moibilizonim në luftën supreme për lirinë dhe pavarësinë e atdheut në rrezik. Dëshira, vullneti dhe gatishmëria nuk na mungonin për kryerjen e kësaj vepre sublime, patriotizmin dhe shpirtin e sakrificës së popullit i njihnim, bile edhe përpjekjet e para i bëmë. Por të tjera shkaqe, të tjerë faktorë e kushte bënë të mundur realizimin në prill 1939 të njërës prej tragjedive më të rënda në historinë shumëshekullore të popullit tonë.
Kurrë nuk do t'i harroj ato ditë të zeza, kur filloi të errësohej qielli i atdheut tonë, kur Italia fashiste e Musolinit na kërcënonte me invadim. Ndodhesha në Korçë, ku që prej vitit 1937 punoja si mësues në Liceun e mirënjohur të atij qyteti. Sapo kisha dalë nga mësimi, kur një i njohuri im më ndali i tronditur:
- E more vesh? - më tha, - Musolini i drejtoi Shqipërisë ultimatum!
Mbeta për një moment si i ngrirë. Prej ditësh qarkullonin zëra nga më të ndryshmit e më kontradiktorët për mundësinë e një agresioni fashist mbi Shqipërinë; çdo mbrëmje, gjer natën vonë, ndiqnim me ankth emisionet e radiove të huaja për të marrë vesh diçka më të saktë, por dhe ato, ashtu si Radio Tirana llomotitnin gjithçka, por vetëm të vërtetën e tmerrshme që po përgatitej e mbanin krejtësisht të fshehur.
E ja, tani, një populi i tërë, i tradhtuar poshtërsisht, ndodhej ballë për ballë agresionit.
U nisa me shpejtësi për në farkëtarinë e mikut tim proletar, veteranit komunist, Pilo Peristeri. Dhe çfarë ironie! Ndërsa rendja rrugës, në veshë më vinin tingujt e një muzike banale që transmetonte Radio Tirana, radioja mbretërore! Ishin çastet kur duhej të binin me të gjithë forcën kambanat e alarmit; ishin çastet kur duhej të shpërthente kushtrimi i madh i historisë, ndërsa mbreti tradhtar, regjimi i tij i kalbur guxonin akoma të mashtronin e të çoroditnin opinionin, përpiqeshin të mbytnin të vërtetën e ta paraqitnin gjendjen sikur s'kishte ndodhur e s'do të ndodhte asgjë me rëndësi.
Piloja, sapo më dëgjoi, e mbylli menjëherë farkën.
- Po shkoj te Miha, - tha. - Të mblidhemi.
- Të ngrihemi menjëherë në demonstrata, - i thashë. - Unë po shkoj në Lice,
Siç dihet në Tiranë, Korçë, Elbasan, Vlorë, Shkodër e në gjithë Shqipërinë, shpërthyen menjëherë demonstratat e popullit. Në ballë të tyre ishin komunistët, të cilët, të ndërgjegjshëm se mbreti, qeveria dhe ushtria mbretërore e kishin tradhtuar përfundimisht atdheun, po merrnin përsipër misionin e udhëheqjes së popullit për rezistencë. Me iniciativën e komunistëve e të nacionalistëve patriotë në shumë qytete u krijuan qendrat e regjistrimit të vullnetarëve për luftë kundër agresorëve.
Por, me gjithë përpjekjet dhe veprimet revolucionare që u ndërmorën, ato ditë akoma më në pah doli e meta e madhe e lëvizjes sonë komuniste, grupet komuniste ishin të përçara, ato nuk ishin në gjendje për t`u paraqitur në momentet e rënda të atdheut si një udhëheqje e vetme dhe e aftë të mobilizonte popullin në luftë.
Sidoqoftë, komunistët e grupeve të ndryshme u vunë në krye të aksioneve patriotike antifashiste.
Në Korçë Grupi Komunist «Puna», siç quhej në atë kohë, doli në ballë si kurdoherë. Studentë e profesorë të Liceut, së bashku, u vërsulën nëpër rrugë e bulevarde.
- Poshtë Italia! Poshtë Musolini! - shpërthyen thirrjet që në portat e Liceut. Ndërkaq në rrugë vërshuan punëtorë, zanatçinj, mësues, nxënës, gra shtëpiake, të rinj e pleq.
- Poshtë Zogu! Duam armë! Duam të luftojmë! - buçitën si kurrë ndonjëherë zërat e fuqishëm të punëtorisë e të rinisë korçare.
Prefekti dhe kryetari i Bashkisë, të frikësuar e si minjtë në dhokan, ishin mbyllur në zyra, të mbrojtur nga xhandarë. Vala e popullit, duke kënduar këngët patriotike të vjetra e të reja, po vazhdonte demonstratat me zemërim të papërmbajtur. Demonstratat vazhduan gjithë ato ditë me furi dhe e elektrizuan mbarë opinionin. Populli nuk nënshtrohej, ai s'trembej nga invazori i tmerrshëm, ai ishte i gatshëm të derdhte gjakun për lirinë dhe pavarësinë e atdheut. Por tradhtia e madhe nuk ishte përgatitur vetëm në sarajet e Zogut e në kulisat e agjentëve e të misionarëve italianë. Gjithë aparati shtetëror i mbretit satrap iu kundërvu hapur kërkesave nga poshtë për mobilizimin e armatimin e përgjithshëm të popullsisë. Në këtë situatë Grupi i Korçës, duke i çmuar seriozisht gjendjen e rëndë të atdheut dhe dëshirën e zjarrtë të popullit por ta pritur agresorin me plumba, mori iniciativë të bëhej një mbledhje në Bashkinë e qytetit dhe të merrej fuqia nga ana e përfaqësuesve të popullit.
Për këtë qëllim u caktuan disa shokë, në mes të të cilëve edhe unë.
Gjithë rrugët ishin mbushur me popull, veçanërisht Bulevardi i Shëngjergjit, ku ndodhej godina e Bashkisë dhe ku ishte vendosur të zhvillohej mbledhja. Shokët punëtorë, në formacione lufte, me shkopinj në duar, kishin zënë pikat kyçe të rrugëve nga ku mund të sulmonte forca e xhandarmërisë, e demoralizuar dhe kjo, por kurdoherë nën urdhrin e prefektit Veli Vasjari, i cili qe mbyllur në prefekturë, në shtëpinë e Rakos. Ne, si grup komunist, kishim vendosur paraprakisht që në këtë mbledhje të arrihej sidomos në dy konkluzione të rëndësishme: Së pari, të regjistroheshin menjëherë vullnetarë popullorë dhe, me komunistë në krye, të niseshin por në Durrës; së dyti, të organizohej rezistenca e përgjithshme me armë kundër pushtuesit. kur ky të marshonte drejt Korçës.
Mbledhja kishte karakter kombëtar, patriotik, prandaj merrnin pjesë jo vetëm komunistë, por kishim thirrur edhe patriotë, edhe «nacionalistë». Në mbledhje erdhën dhe Fazlli Frashëri e Loni Kristo, sollën dhe Zai Fundon tok me këlyshin e Fazlliut, Stavri Skëndin.
Filluam diskutimet. Natyrisht, tonat ishin të zjarrta, radikale, kundër pushtuesit dhe kundër Zogut e regjimit të tij të urryer që po na sillte katastrofën më të rëndë.
- Kohë për ligjërata të gjata nuk ka, - këmbëngulëm ne. - Armiku po troket në portat tona. Nëse jemi patriotë të vërtetë, nëse jemi kundër pushtuesit, të marrim masa të menjëhershme, - dhe paraqitëm hapur propozimet që kishim vendosur në Grupin Komunist. Diskutimet në mes nesh dhe oportunistëve u acaruan.
- Të mos ngutemi, të presim ç'do të bëjnë patriotët në Tiranë! - propozonin oportunistët me Fazlli Frashërin në krye.
- «Të presësh» do të thotë të pranosh pushtimin fashist, - kundërshtonim ne me forcë. - Çdo çast është në favor të armikut.
Gjendja u elektrizua.
Në mendje, ato çaste, më vinin ngjarjet e mëdha të historisë luftarake të popullit tonë, përpjekjet dhe betejat e tij të pareshtura për liri e pavarësi kombëtare; para sysh më dilte Selam Musa Salaria me shokë, që, njëzet vjet më parë, i hodhën në det ushtritë zaptuese të atij mbreti e të asaj mbretërie që tani na kanosnin me një robëri tjetër të rëndë. Na buçiste në veshë kënga luftarake «Vlora-Vlora», e cila na thërriste të ngriheshim përsëri në këmbë. Përpara më dilnin ngjarjet e mëdha të Revolucionit Demokratiko-Borgjez të Francës, që i kisha mësuar në shkollë, përpara më dilte Revolucioni i Madh i Tetorit dhe mësimet e Leninit, që i mësonim në pasticerinë e Koci Bakos. Prandaj, i mbështetur nga shokët, u ngrita e propozova:
- Të krijojmë menjëherë një komitet për shpëtimin e atdheut, të mobilizojmë e të organizojmë të rinj e të moshuar, t'i armatosim, t'u presim rrugën fashistëve italianë që po na kërcënojnë me pushtim. Po ashtu, flitet se Ahmet Zogu po përgatitet të ikë vjedhurazi për në Greqi. Është detyra jonë, e do nderi i këtij populli që po demonstron kudo nëpër rrugë e sheshe që t'i presim udhën edhe mbretit kapitullant e frikacak e t'i japim atë që meriton.
- Dale, more djalë, qysh thënke kështu për naltmadhërinë! - u hodh një nga «patriotët» afendikonj. Ai ka deklaruar se, po ta dojë nevoja, do të veshë opingat.
- Veç jo për të luftuar, por për t'ia mbathur, thirri njëri nga shokët tanë.
Më kujtohet se plasi një rrëmujë e madhe. Ne të rinjtë ishim për veprime, të tjerët skuqeshin, zverdheshin, bërtitnin: «Të mos shpejtohemi», «Të mos hyjmë në konflikt me qeverinë».
Sigurisht brenda kishte dhe agjentë të prefektit, të cilët, në mes të rrëmujës, e vunë në korent për gjithçka ndodhte me anë të telefonit ose dërguan ndonjërin, si Petraq Katron, një tregtar prozogist.
Kur po diskutonim, hynë në sallë një kapedan i xhandarmërisë dhe disa të dërguar, të njohur si njerëz të prefektit, të cilët urdhëruan, në emër të këtij të fundit, të shpërndahej mbledhja, se, përndryshe, do t'i je pej urdhër xhandarmërisë «të vendoste rregullin». Nuk më kujtohet mirë, por më duket se Piloja u doli për para dhe u tha:
- S'kemi frikë as nga kërcënimet e prefektit, as nga tuajat, as nga sulmi i xhandarëve, jemi ndeshur edhe herë të tjera me xhandarët e Zogut dhe dimë të luftojmë. I thoni prefektit ta lëshojë xhandarmërinë dhe do të shohë se ç'do të ngjasë. Pa hidhni një sy në bulevard, zotërinj të xhandarmërisë, dhe do të bindeni!
Turma jashtë, e egërsuar, bërtiste dhe hidhte parulla kundër Italisë, kundër regjimit.
Rrugët që ishin plot me popull dhe shokët që kishin zënë vende gati për t'u përleshur me xhandarmërinë, e trembën prefektin të merrte masat me të cilat na kërcënoi.
Në mbledhje kërkuam me këmbëngulje të na dorëzoheshin armë, përndryshe do të sulmoheshin depot.
Ndërkaq na erdhi «ultimatumi» i komandantit të xhandarmërisë së qarkut:
- Populli do të marrë armë vetëm kur të më vijë urdhri nga lart, prandaj shpërndahuni!
Por jashtë sheshi e rrugët gjëmonin:
- Armë ! Armë ! Duam armë !
Fazlli Frashëri, Zai Fundo dhe të tjerë nga paria, gjoja patriotë dhe nacionalistë e ndien rrezikun dhe, pas një konsultimi me Zain, u ngrit Fazlli Frashëri:
- Dëgjoni, bre vëllezër, - nisi të thoshte. - T'i pjekim mirë këto punë. Për të evituar vëllavrasjen, se çdo gjë mund të ngjasë, më lejoni të vete vetë te prefekti të bisedoj me të dhe t'i transmetoj dëshirën e mbledhjes.
- Vendimin e mbledhjes, - bërtiti një punëtor nga mesi i sallës.
Fazlliu doli dhe u kthye me vonesë, duke na thënë:
- Prefekti më dëgjoi me indulgjencë, por duhet t'i lëmë kohë deri nesër, sa të japë urdhrat e nevojshëm, pse tash është vonë.
Asnjeri nuk i besoi kësaj gënjeshtre. Megjithatë, vendosëm që mbledhjen ta linim për të nesërmen në mëngjes. Por të nesërmen xhandarët dhe ushtria e krimbur që kishte mbetur, kishin zënë rrugët dhe sheshet. Oficerët e Zogut, të mbrojtur dhe të armatosur, kishin marrë parullën: «Po përgatitemi për të luftuar, kemi urdhër nga mbreti». Po luhej akti i fundit, më i turpshmi i tradhtisë. Të gjitha këto ishin llafe për ta qetësuar popullin që ziente. Në këtë situatë ne, komunistët e Grupit të Korçës, filluam të përpilonim listat e vullnetarëve, që ishin të gatshëm të niseshin drejt Durrësit.
Njerëzit e thjeshtë të popullit, punëtorë, zanatçinj, liceistë, vinin dhe shënonin emrin e tyre me natyrshmërinë e birit, që është gati të japë jetën për tokën mëmë. Me mijëra burra dhe gra qëndronin para ndërtesës së Bashkisë dhe Monumentit të Luftëtarit Kombëtar, që ishte kthyer në një simbol të shenjtë të luftërave të popullit tonë për liri e pavarësi dhe vazhdonin të thërritnin: «Duam armë!», «Rroftë liria e Shqipërisë!», «Rroftë Flamuri!», ndërsa këngët patriotike, si ajo «Për mëmëdhenë» e të tjera, këndoheshin me zjarr nga mëngjesi deri në orët e vona të natës.
Autoritetet e vendit vërtiteshin të shqetësuara, xhandarmëria ishte gati të qëllonte jo mbi armikun që kërcënonte atdheun, por mbi popullin që donte ta mbronte atdheun. Dhe, ndërsa Fazlli Frashëri me kompani lexonin plot pompozitet e bujë telegramet e «protestës» për «gjëmën e mëmëdheut», njëfarë Eqrem Telhai, toger zogist në atë kohë e më vonë oficer fashist, ballist, agjent i anglezëve, e çfarë të duash, bërtiste në kafene:
- Më në fund na erdhi dita t'ia tregojmë qejfin Italisë.
Kjo qe një farsë e poshtër. Ndërsa i gjithë populli, anembanë vendit ishte ngritur në këmbë, ishte derdhur në rrugë dhe kërkonte armë, ndërsa populli dhe rinia e Tiranës suleshin në muret e pallatit të xhelatit Ahmet Zog, të ruajtura nga mijëra xhandarë dhe thërritnin: «Armë! Armë!», zëdhënësi i katilit dilte në ballkon dhe deklaronte: «Mbani qetësinë se lartmadhëria ka vendosur të veshë opingat dhe të dalë me ju në mal!». Por, kur rinia e Tiranës, që nuk gënjehej, iu vërsul kazermave për të rrëmbyer armët, ato i kishin sabotuar tradhtarët dhe agjentët e Italisë: pushkët ishin pa shule. Mirëpo demonstratat vazhdonin. Në Tiranë njerëzit e Zogut lëshuan alarmin: «Sot pasdite do të vijnë avionët italianë të bombardojnë, rrini nëpër shtëpia e mbrohuni ku të mundni!». Qytetarët e Tiranës, për të mbrojtur familjet dh, fëmijët, u mbyllën në bodrume e disa ikën në periferi ose në fshatrat e afërta. E gjithë kjo zhurmë e «kapedanëve» të Zogut kishte për qëllim t'i siguronte rrugën mbretit satrap dhe familjes së tij, që të arratisej si bandit e si kusar që ishte, duke marrë me vete edhe arin e shtetit.
Në këto kushte, kur ushtria dhe xhandarmëria u lanë në fatin e vet dhe të tradhtuar ngritën duart, në Tiranë, në Durrës, në Elbasan e gjetkë u krijuan patrulla nga komunistët e grupeve dhe të rinj. Në Elbasan këta i zunë pritë kolonës së makinave të mbretit, por satrapin nuk mundën ta kapnin. Zogu, si cub, çau ferrën.
Në Korçë ato ditë kishte ardhur një njeri i mbretit, Qazim Bodinaku, ndofta me mision që të përgatiste kalimin e Zogut, të familjes e të suitës nga Kapshtica për në Greqi. Por, një mëngjes, prefekti zogist, element i urryer e kriminel, u gjend i vrarë në hotel nga një dorë e paditur. U fol se e vrau djali i Maliq Frashërit. Si dhe pse, as situata, por as ndonjë arsye tjetër s'na shtynte të interesoheshim. Të dyja palët qenë të përziera në krime.
Ndërkaq lajmi i zi u përhap kudo: trupat fashiste italiane shpërthyen agresionin. Një popull i tërë, i ngritur në këmbë, i gatshëm të luftonte për lirinë e pavarësinë e vet, u ndodh pa udhëheqje, pa armë, pa organizim, i tradhtuar nga klasat sunduese, nga mbreti e nga qeveria, pa ndihmë e pa përkrahje nga jashtë. E megjithëkëtë grupe patriotësh shqiptarë, si Mujo Ulqinaku me shokë, i pritën agresorët me plumba dhe fakt është se fashistët italianë, para se të organizonin «ceremonialin» e hyrjes në Durrës, u detyruan të tërhiqnin në fshehtësi trupat e ushtarëve të vrarë e të lanin sheshet nga gjaku i derdhur.
Numri i fashistëve të vrarë në brigjet tona u mbajt në fshehtësinë më të madhe dhe kufomat e tyre u çuan natën në Itali, ose u zhdukën në fund të detit. Këto qenë «buqetat» e vërteta, me të cilat populli shqiptar i priti agresorët më 7 prill 1939.
Por rezistenca e patriotëve tanë në Durrës, Sarandë, Vlorë, Shkodër, Shëngjin etj., ndonëse e përgjakshme dhe heroike, ishte spontane dhe e paorganizuar. Ajo u shtyp përballë hordhive fashiste të armatosura gjer në dhëmbë me mjetet më moderne të agresionit e të shfarosjes.
Shqipëria u pushtua. Nuk kam për t'i harruar kurrë urrejtjen dhe dhimbjen e thellë, me të cilat shoqëruan banorët e qytetit të Korçës aeroplanët e parë të fashizmit dhe të pushtimit. Njerëzit lëshonin lot dhe kërcënonin me grusht aeroplanët. Në sytë e popullit shqiptar fashistët panë vetëm urrejtje.

* *
* * *

Gjendja e rëndë, që iu imponua atdheut nga pushtimi fashist, na ngarkoi ne, komunistët, me përgjegjësi të mëdha. Nëse në ditët vendimtare para 7 prillit grupet komuniste, të përçara e në luftë me njëri-tjetrin, nuk mundën të krijonin një udhëheqje të vetme e të mobilizonin popullin për veprime të armatosura kundër agresorëve, tani gjendja e paspushtimit e nxirrte më në pah domosdoshmërinë e një pune komuniste të organizuar e të pandërprerë. Duhej të vepronim, të organizoheshim për rezistencë, t'u tregonim njerëzve ç'ishte fashizmi italian e ç'qëllime kishte; të demaskonim demagogjinë e tij, karakterin e masave që merrte dhe metodat dinake që përdorte ai, sikur erdhi gjoja të shpëtonte vendin nga Zogu, se gjoja Shqipëria do të ketë qeverinë e saj etj. Duhej të organizonim rezistencën dhe propagandën kundër qeverisë kuislinge të Vërlacit, që realizoi maskaradën e «Bashkimit të Shqipërisë» në «suazën e perandorisë italiane» me Viktor Emanuelin III në krye, i cili, ca kohë më parë, kishte marrë titullin e «perandorit të Etiopisë» dhe tash merrte edhe titullin «mbret i Shqipërisë».
Kryerja e këtyre detyrave ishte, pa dyshim, e vështirë, por jo e pamundur. Demonstratat e, mëdha që shpërthyen në ditët e para të prillit në të gjithë vendin kundër kërcënimit italian, kërkesat për armë që masat e gjëra të popullit i bënë qeverisë tradhtare dhe feudale të Zogut, shprehja e përgjithshme e gatishmërisë për të luftuar, goditja e trupave italiane të zbarkimit në Durrës, Vlorë, Sarandë e Shëngjin ishin për ne, komunistët, sinjali se vetëm duke u organizuar, duke u armatosur dhe duke luftuar do të shporrej armiku, që tashmë kërcënonte vetë të ardhmen e vendit e të popullit tonë, ishin vërtetimi më i madh i faktit se populli ynë s'do ta duronte pushtimin, se me një udhëheqje të sigurt ai do të ngrihej në këmbë e do t'i hidhte agresorët në det.
Mirëpo ne, anëtarët e grupeve të ndryshme komuniste, megjithëse e ndienim nevojën e luftës kundër okupatorit dhe praktikonim në jetë forma të ndryshme të saj, nuk po arrinim ta gjenim fjalën me njëri-tjetrin, të sheshonim divergjencat ideopolitike dhe të bashkonim forcat e përpjekjet tona. Kjo ishte një gjë shumë e dëmshme për luftën e përbashkët kundër të njëjtit armik. Edhe si grupe, pushtimi na gjeti jo të organizuar si duhej. Puna e grupeve nuk kishte shtrirje të gjerë në masat e popullit dhe në mbarë vendin, me gjithë udhëzimet e drejta të Kominternit, që i kishte sjellë shoku Ali Kelmendi që më 1932, dhe më pas me direktivat e reja të Kongresit të 7-të të Kominternit, që erdhën në Shqipëri qysh në vitin 1937, e na rekomandonin të futeshim në masa, të punonim midis tyre dhe aty të rritnim e të forconim celulat e reja.
Këto udhëzime, në frymën dhe në dritën e direktivave të Kongresit të 7-të të Kominternit, u përcaktuan në Moskë, në një mbledhje të organizuar nga Seksioni Ballkanik i Kominternit, ku u analizua gjendja e lëvizjes komuniste në Shqipëri dhe detyrat që qëndronin para saj. Perspektivat e gjera që hapnin këto direktiva për zhvillimin e lëvizjes komuniste në Shqipëri, u sabotuan nga elementët trockistë.
Grupi Komunist i Korçës i pranoi e i bëri të tijat udhëzimet e, Kominternit. Ky grup arriti mjaft suksese në punën që bënte me punëtorë, me të rinj dhe me zanatçinj e tregtarë të vegjël. Megjithatë karakteristikë e shokëve, të Grupit të Korçës ishte sektarizmi, që shprehej në një punë të mbyllur brenda në qytetin e Korçës, kurse jashtë tij dhe në qytete të tjera grupi zhvillonte një punë shumë të zbehtë, për të mos thënë inekzistuese. Nga ky sektarizëm e dobësi të tjera, që pengonin zhvillimin dhe zgjerimin e lëvizjes komuniste, përfituan disa elementë antimarksistë të këtij grupi, të cilët shkëputën disa prej anëtarëve të grupit tonë në Tiranë. Një pjesë nga këta kishln formuar që më 1936 një grup trockist me Aristidh Qendron në krye, kurse të tjerë me Anastas Lulën e Sadik Premten po shfaqnin shenjat e një fraksioni të ri, që më vonë, pas pushtimit të vendit, dolën si grup më vete, i cili njihet me emrin Grupi i «Të Rinjve».
Më kujtohet që, pak kohë pas pushtimit të vendit, Grupi i Korçës dërgoi në Tiranë dy përfaqësues të vet, për të marrë kontakt me Anastas Lulën dhe me disa shokë të tij, që t'i orientonin këta për detyrat e reja të situatës së pushtimit e për t'i bindur që të ruanin lidhjet me grupin. Mirëpo të dërguarit e Grupit të Korçës jo vetëm nuk i bindën dot Anastas Lulën me shokë, por vunë re në idetë dhe në jetën e tyre akte të poshtra, trockiste, antikomuniste, amorale në kulm. Ata u ndanë nga grupi i Anastasit të tmerruar dhe, kur na raportuan, me të drejtë Grupi i Korçës vendosi e filloi luftën ideologjike kundër këtyre trockistëve.
Ky grup kishte përqafuar të gjitha teoritë dhe praktikat e gangsterëve trockistë e anarkistë: vjedhjen, gënjeshtrat, korrupsionin e komunitetin mbi gratë. Ata nxorën «teori» të reja, të cilat po i sillnin një dëm të madh luftës sonë. Sipas Anastas Lulës, Andrea Zisit e trockistëve të tjerë «pushtimi i vendit kishte anën e keqe, por edhe anën e mirë: ai ishte, i favorshëm se do të mëkëmbej borgjezia, do të ndërtohej industria, do të krijohej klasa punëtore dhe, atëherë mund të flitej për krijimin e një partie lkomuniste të vërtetë, atëherë mund të flitej për luftë kundër okupatorëve». «Duhet të presim krijimin e proletariatit», «puna me fshatarësinë nuk ka rezultat» propagandonin ata. Natyrisht, «teoritë» e këtyre krerëve ishin jo vetëm antikomuniste, por i shërbenin pushtuesit dhe sabotonin organizimin e rezistencës e të luftës popullore kundër tij. Grupi i Korçës i luftoi pa mëshirë këta tradhtarë dhe këto «teori» e veprime që ishin jo vetëm trockiste, por që puqeshin me ato të Partisë Fashiste Shqiptare, krijesë e pushtuesit.
Grupi i Korçës kishte një vijë të drejtë për këto probleme kapitale, por duhet thënë se Koço Tashkoja ndikonte për keq në zhvillimin e gjerë të kësaj vije. Jashtë Korçës, sidomos në Tiranë, ku puna e grupit ishte lënë në duart e Koço Tashkos, procesi thuajse kishte ngecur në vend. Koço Tashkoja, duke përfituar nga fakti që kishte, sjellë prej Moske udhëzimet e Kominternit hiqej si i parë, si përfaqësues i Internacionales në Shqipëri, por e vërteta ishte se ai nuk dinte të punonte me njerëzit, ishte sa sektar aq dhe oportunist.
Grupin e Korçës e kishte goditur edhe reaksioni zogist, por sidoqoftë ai mbetej grupi më i madh e më i rëndësishëm, jo vetëm për numrin, por, sidomos për faktin se idetë e këtij grupi ishin më të drejta se të grupeve të tjera. Grupi ynë i Korçës e shikonte drejt rrezikun e madh të pushtimit fashist dhe luftonte me mënyrat e tij, por ai me një punë organizative më të shëndoshë, më të zgjuar, po të vepronte energjikisht dhe me pjekurinë e duhur për të likuiduar gjithë atë mal «mërish», kontradiktash, zënkash e ambiciesh personale ose shpifjesh, që nuk mungonin në mes grupeve, komuniste, do të kishte ndikuar më shumë në afrimin e komunistëve e do të kishte shpejtuar formimin e Partisë. Përpara rrezikut të madh të fashizmit që na kishte pushtuar, u neglizhua rëndë rruga e unitetit marksist-leninist. Për pasojë edhe pas pushtimit grupet jo vetëm qëndruan në pozitat e vjetra, por zënkat dhe kontradiktat u shtuan e u acaruan. Kogo Tashkoja dhe Anastas Lula ishin një pengesë e madhe për përmirësimin e gjendjes në këtë drejtim.
Sidoqoftë, fakt është se, në Korçë, ku grupin e drejtonte shoku Miha Lako, puna shkonte në përgjithësi mirë. Veçanërisht në prag të pushtimit dhe menjëherë pas tij veprimtaria e grupit u gjallërua si kurrë më parë. Ne mblidheshim rregullisht, diskutonim, përcaktonim qëndrimet që duhej të mbanim për problemet e mëdha e të vështira që kishim përpara.
Në radhë të parë, na duhej të ruanim e të forconim më tej unitetin e shëndoshë brendapërbrenda Grupit Komunist, të mos lejonim asnjë çarje në radhët e tij, asnjë shenjë frike ose paniku përpara terrorit e raprezaljeve të regjimit fashist. Mbaj mend se në ditët e para të prillit, kur ende pushtuesit s'kishin hyrë në qytet, dikush hodhi mendimin që disa nga shokët tanë, të njohur nga autoritetet e nga agjentët fashistë për veprimtarinë e tyre antifashiste, të largoheshin nga Korça për t'i shpëtuar internimit ose burgut. Shpërthyen kundërshtime të ashpra:
- Gjithë populli i Korçës, gjithë populli i Shqipërisë është antifashist, - theksuam në mbledhje. Në rrugë me mijëra veta po demonstrojnë e thërresin hapur: «Poshtë fashizmi!». Atëherë, si të largohen komunistët nga populli?! E kundërta duhet të ndodhë. Ne duhet të jemi të parët në veprime e demonstrata, ne duhet t'i tregojmë popullit rrugën e vërtetë të luftës e të çlirimit, ne duhet ta bindim atë me shembullin tonë!
Dhe kështu ndodhi vërtet. Komunistët e Grupit të Korçës, bërthamën kryesore të të cilit e përbënin punëtorët e qytetit, nuk u tutën e nuk u ndalën përpara asnjë rreziku. Ndikimi i punëtorëve te nxënësit, që në atë kohë i quanim studentë, ishte i madh. Liceu i Korçës ishte një mbështetje me rëndësi për rezistencën kundër fashizmit. Nxënësit e këtij Liceu dhe mësuesit e tyre revolucionarë, frymën e demonstratave antifashiste të prillit 1939 e thelluan çdo ditë e më tepër, dhe më pas, veçanërisht pas themelimit të Partisë sonë Komuniste, ata e kthyen Liceun në një çerdhe të vërtetë revolucionare, në një burim kuadrosh e partizanësh të Partisë e të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Edhe profesorët francezë, pa asnjë përjashtim, ishin kundër pushtimit italian, ata u treguan solidarë me ne, mësuesit antifashistë, me nxënësit dhe me popullin. Ata hapur nuk flisnin, kurse me ne po, nuk na pengonin në asnjë veprim tonin me nxënësit, përkundrazi, na përkrahnin e na jepnin zemër Ata prisnin me muaj dhe me ditë që të nxirreshin jashtë nga Shqipëria, si të padëshirueshëm për regjimin fashist.
Në luftën që u bënim pushtuesve fashistë, kur bojkotonim çdo veprim politik ose arsimor të tyre, ne nuk harronim të demaskonim jo vetëm agjentët e tyre, si Alarupin, Tefik Mborjen e të tjerë, vegla të bindura të fashizmit, por edhe Qazim Frashërin e mikun e tyre, trockistin Zai Fundo, i cili qe kthyer në Shqipëri si «komunist» për të bërë punën e fashizmit e të agjenturave të huaja imperialiste.
Historinë e këtij tradhtari të Internacionales së Tretë Komuniste, të këtij armiku të lëvizjes sonë komuniste e të Partisë Komuniste të Shqipërisë ne e njihnim mirë dhe qysh më parë ishim ndeshur me të.
Zai Fundoja në kohën e qeverisë së Fan Nolit ishte një nga të rinjtë demokratë korçarë, që morën pjesë në lëvizjen kundër feudalëve, duke qenë anëtar i shoqërisë «Bashkimi» që e kishte themeluar dhe e drejtonte patrioti i shquar, Avni Rustemi. Zai ishte bir i borgjezisë së mesme qytetare të Korçës, bir i një tregtari, nga ata që shëtitnin me dolloma dhe venin çdo të diel në kishë.
Familja e Zait, natyrisht, hiqej si familje «arkondësh» dhe kishte një përbuzje të dukshme ndaj elementëve myslimanë, që rrinin në një mëhallë të veçantë të Korçës, e cila konsiderohej si një geto nga «arkondët» e mësuar të mëhallave të tjera. Këta tregtarë arkondë bënin krushqi me njerëz të shtresave të tyre, shkonin e vinin nga jashtë, bënin tregti me Greqinë dhe me Rumaninë, sillnin që andej zakonet dhe mënyrën e jetesës gjoja të qytetërimit. Nganjëherë dërgonin në këto vende dhe djemtë e tyre për t'u bërë doktorë dhe avokatë, që ishin dy profesione «më të preferuara» për ta, sepse sillnin shumë të ardhura e që, sipas tyre, krijonin pasuri dhe autoritet. Nga një familje e tillë rridhte dhe Zai Fundoja. U duk sikur ai mori një rrugë tjetër, u fut në valën e veprimtarisë politike dhe «mbronte krahun e demokracisë kundër feudalëve».
Kur Zogu hyri në Tiranë, i ndihmuar nga fuqitë e huaja, veçanërisht nga reaksioni serb, i cili i vuri në dispozicion edhe mercenarë vrangelistë të emigruar nga Rusia, pas fitores së Revolucionit të Madh Socialist të Tetorit, qeveria e Nolit kishte mbaruar dhe mbështetësit kryesorë të saj dolën jashtë kufijve të atdheut, në mërgim. Edhe Zai Fundoja u mërgua dhe u gjend më në fund në Bashkimin Sovjetik, me një grup shqiptarësh, midis të cilëve ishin: Ali Kelmendi, Naum Prifti, Sali Hidri, Koço Tashkoja, Selim Shpuza, Demir Godelli e të tjerë.
Nën regjimin e egër të Zogut, mezi informoheshim mbi veprimtarinë e emigrantëve antizogistë, të cilët, natyrisht, ishin të ndarë e të përçarë. Për Zai Fundon shumë rrallë na binin në vesh se «është komunist», se «punon në Komintern», por si e qysh, asgjë konkrete nuk dinim. Herë pas here merrnim në mënyrë ilegale gazetën e Omer Nishanit, «Çlirimi kombëtar», dhe atje disa herë, tok me artikujt e zjarrtë të Halim Xhelos, lexonim edhe ndonjë të Zai Fundos.
Më vonë çdo gjë u bë e qartë mbi Zai Fundon. Siç dihet, ai e tradhtoi komunizmin, u bë një renegat, një trockist i rrezikshëm. Them i rrezikshëm, sepse ishte shumë dinak, i zgjuar e me kulturë, njeri i penës dhe i gojës. Ai dërgohej nga Kominterni me misione, ashtu siç dërgoheshin edhe të tjerë, por në Shqipëri nuk kishte ardhur asnjëherë, qoftë ilegalisht qoftë legalisht, siç kishin ardhur shokë të tjerë, si Ali Kelmendi e Halim Xhelo. Zai Fundoja, intelektuali trockist i fshehtë, e ndiente frikën deri në palcë.
Kur u zbuluan aktiviteti dhe pikëpamjet e tij trockiste, Zai Fundoja ndodhej jashtë Bashkimit Sovjetik dhe kështu shpëtoi nga spastrimet kundër trockistëve, buharinistëve e tradhtarëve të tjerë.
Pas kësaj ai rronte herë në Zvicër, herë në Francë e gjetkë, ku zhvillonte një luftë të tërbuar dhe të hapur kundër komunizmit, kundër Bashkimit Sovjetik, kundër Stalinit. Tani ai luftonte si eksponent në radhët e Internacionales së Katërt trockiste dhe ishte vënë në shërbim të kushedi se të ç'shteteve imperialiste që organizonin sabotimet dhe luftën kundër Bashkimit Sovjetik. Në të njëjtën kohë ai vazhdonte të bënte një punë të poshtër, intrigante, sabotuese, e shkatërrimtare kundër revolucionarëve të vërtetë, si Ali Kelmendi, dhe kundër çdo lëvizjeje përparimtare jashtë ose brenda Shqipërisë. Fundoja u bashkua me elementët më të fëlliqur të emigracionit politik shqiptar jashtë dhe, ndër të tjera, bënte ç'është e mundur për të sabotuar vajtjen e vullnetarëve shqiptarë në Spanjë.
Para se Italia të na pushtonte atdheun, morëm vesh se kishte ardhur në Shqipëri Zai Fundoja. Ai u kthye nga mërgimi duke marrë lejen e qeverisë së Zogut, të cilën e kishte siguruar se nuk do të merrej me politikë. Tashmë ne, komunistët e Grupit të Korçës, e njihnim mirë veprimtarinë e tij, sepse Ali Kelmendi na kishte vënë né korent për çdo gjë lidhur me të dhe ishim të bindur se Zai Fundoja nuk vinte pa qëllime të caktuara pas kaq kohësh emigrimi. Ai nuk ishte një emigrant ekonomik dhe as një emigrant politik i thjeshtë, por «i njohur» si antizogist dhe antifeudal e, sidomos, si «komunist».
E tillë ishte figura e tij nga ana e jashtme, të cilën Zogu, si dhe ish ministri i tij i Brendshëm, Musa Juka e të tjerë mendonin ta ruanin si të tillë, sepse kishin nevojë për këtë person që kishte ndërruar shpirt e lëkurë dhe, në fakt, nuk ishte më as antizogist, as komunist.
Duke i ditur të gjitha këto, ne pra, qemë të bindur se Zai Fundoja erdhi në Shqipëri në këto kohë të turbullta, ashtu si ujku që kërkon mjegull, me siguri, i dërguar nga agjenturat e huaja për t'i përgatitur terrenin pushtuesit, për të sabotuar krijimin e PKSH, për të sabotuar rezistencën e armatosur të popullit shqiptar.
Dhe një mëngjes ai u duk në Korçë. Në shtëpinë e Andresë së Thullës, ku rrija, më erdhi shoku Raqi Themeli, teneqexhi, dhe më lajmëroi se renegati Zai Fundo kishte ardhur në Korçë. U nisa dhe shkova te dyqani i Mihas [Lako], për të biseduar me të dhe për të vendosur se ç'mënyrë dhe ç'taktikë do të përdornim për të luftuar kundër këtij renegati. Unë mora përsipër ta demaskoja në radhët e mësuesve, profesorëve e nxënësve, njëkohësisht të zbuloja manovrat dhe metodat e punës së tij, ku do t’i krijonte bazat dhe si do të shtrinte rrjetat. Shokët e tjerë morën përsipër detyrën t'u bënin të qartë punëtorëve dhe elementit fshatar se kush ishte ky tradhtar. Ne e pamë që në fillim rrezikshmërinë e këtij elementi të njohur në borgjezinë tregtare të Korçës, në inteligjencien liberale dhe «demokratike» të këtij qyteti. Kurse te punëtorët e Korçës do të ishte vështirë të depërtonte se për ta ai ishte me kohë i djegur, ndërsa lidhjet me fshatin, në qoftë se ai do të tentonte në këtë drejtim, do t'i bënte nëpërmjet bejlerëve «liberalë» dhe agallarëve. Kështu ia filluam punës kundër tij, me gardën e vjetër të Grupit Komunist të Korçës në krye, Miha Lakon, Pilo Peristerin, Gaqo Peristerin, Sotir Vullkanin, Koci Bakon, Sotir Gurrën, Petro Papin, Nesti Titanin, Petraq Titanin, Raqi Themelin, Foni Thanon, Llambi Dishnicën, Stefo Grabockën e të tjerë.
Zai Fundoja filloi nga puna me sistem. Ai ra në kontakt me të gjithë ata për të cilët prefekti dhe agjentura e tij nuk kishin asnjë fije dyshimi, pra, ai po e legalizonte veprimtarinë e tij sipas «premtimeve» të dhëna që para se të kthehej në Shqipëri.
Ne shihnim me kujdes lidhjet që vendoste dhe takimet që bënte jashtë, në vende publike, në kafe ose në shëtitjet e dendura mbrëmjeve në bulevard, gjithashtu dhe vizitat e shpeshta që bënte nëpër familje, deri te ndalesat në dyqanet e tregtarëve të ndryshëm.
Ai filloi të lidhej me krerët e borgjezisë tregtare korçare, me Fundot, me Vangjo Turtullin, me Manot, me Katrot e shumë të tjerë të këtij kalibri si edhe me ata të kalibrit më të ulët. Këta ishin përfaqësuesit e borgjezisë së krishtere që qenë lidhur me bejlerët dhe agallarët myslimanë dhe ishin më në kontakt me fshatin dhe ndër më të besuarit e Zogut, të Musa Jukës e të Krosëve, që sillnin ose hiqnin nga pushteti kur të donin, Koço Kotët, Pandeli Vangjelët e të tjerë si këta, Zai Fundoja i dinte këto situata dhe këto nuanca politike i shfrytëzonte. Fazlli Frashëri, i vëllai Qazka, Selim Mborja, Tefik Mborja, Rexhep Merdani e mjaft të tjerë si këta e më të ulët se këta, por që formonin opinionin e «elitës myslimane» korçare, u bënë miqtë e tij më të ngushtë.
Po ashtu mbështetje e Zai Fundos u bënë disa intelektualë korçarë, si Stavri Skëndi, Andon Frashëri, Vili Jatru e intelektualë fashistë, si Alarupi e të tjerë.
Natyrisht bisedat e tij me këta njerëz e kishim të vështirë t'i mësonim, por disa herë merrnim vesh ndonjë gjë nëpërmjet vesit të tyre për t'u mburrur për «politikën» që bënin kafeneve. Kapardisej Zai si «politikan i zoti», «si njeri me kulturë të madhe». U fuste atyre se «ishte për reforma, por në mënyrë të moderuar, sepse nuk ishte akoma koha për reforma të thella», se «vendi ishte prapa nga ana arsimore» etj., etj., por nuk hynte thellë në arsyetime se ç'duhej bërë. Fliste, «fjalë të mira» për rininë, evitonte bisedat direkte për Bashkimin Sovjetik dhe për Stalinin dhe thoshte: «Jam komunist dhe këtë e di gjithë bota, bile edhe prefekti, e këtë s'kam si e fsheh» (!). Për Grupin tonë Komunist të Korçës nuk fliste dhe kur e pyesnin se ç'mendonte për komunistët në Shqipëri, ai përgjigjej:
«Nuk di gjë, s'kam lidhje dhe nuk përzihem me ta» etj.
Për të diskutuar rreth të gjitha këtyre taktikave të Zai Fundos, ne mblidheshim herë pas here në dyqanin e vogël të Mihas ose në sobalkën e Pilos, ku, pas diskutimeve, merrnim vendime për ta demaskuar Zain si renegat, si armik të punëtorëve, si armik të reformës së vërtetë agrare që do të shpëtonte fshatarësinë etj. Natyrisht Zait dhe miqve të tij nuk u vinte mirë nga kjo luftë që u bënin bolshevikët, siç na quanin ata. Nuk i vinte mirë as «kryetarit» të grupit tonë, Koço Tashkos. Edhe ky mundohej të na imponohej për të mos e luftuar Zai Fundon, sepse ai na paskej «ndjenja pozitive»! Por ne vazhduam punën tonë kundër tradhtarit Fundo pa ndërprerje, si para ashtu edhe pas pushtimit fashist të atdheut.
Por edhe Zai, si njeri i përgatitur për misionin e tij agjenturor, nuk tërhiqej. Në prag të 7 prillit, pasi bëri ç'ishte e mundur që të sabotonte punën tonë për rezistencë kundër pushtuesit, papritur ndërroi rol. Në kulmin e demonstratës popullore u ngjit në shkallët e Bashkisë dhe mbajti një fjalim «antifashist» gjithë figura, gjeste e ekstazë. Ne, që e njihnim mirë fytyrën e vërtetë të renegatit, nuk i hëngrëm fjalët e tij, por, sidoqoftë, ato efektin e bënë. Pak kohë pas vendosjes së regjimit fashist, një mëngjes mbërriti në Korçë «kryetari» i grupit tonë, Koço Tashkoja. Ai na mblodhi, natyrisht në ilegalitet, na foli mbi situatën dhe përveç të tjerave na tha:
- Duhet ta pushoni luftën kundër Zai Fundos!
- Të pushojmë luftën kundër armikut? - e pyetëm ne me habi.
- Po, po, - foli Koçoja, - pse tash kemi një armik tjetër përpara për të luftuar, pushtuesin italian.
Pati debate të ashpra. Ne ngulnim këmbë se, sipas mësimeve të Leninit e të Stalinit, trockistët janë agjenturë e borgjezisë dhe e fashizmit dhe Zai, si i tillë, duhej luftuar, kurse Koçoja, thoshte se Zai tani «paraqitet kundër pushtuesit italian, prandaj ne duhet ta kemi në provë» etj. Sidoqoftë, ne nuk iu nënshtruam dëshirës së «kryetarit» të grupit tonë dhe, krahas rezistencës së pandërprerë që i bënim pushtuesit, vazhduam punën njëkohësisht edhe për demaskimin e renegatit Zai Fundo.
Një ditë, kur po dilja nga «Kafeneja e bilbilave», siç e quanim ne kafe-lulishten afër spitalit, u ndesha ballë për ballë me Zain. U përshëndetëm e i dhamë dorën njëri-tjetrit.
- Bëjmë një shëtitje të vogël bashkë, - më tha Zai.
- Si të duash, - i thashë, - por deri në Lice se kam për të dhënë mësim.
Rrugës filloi të më fuste për «ndjenjat e tij antifashiste», se ai «kishte ardhur në Shqipëri të luftonte kundër pushtuesit» etj., etj. Pastaj doli te kryesorja:
- Pse më sulmon, ti dhe shokët e tjerë, në masat e punëtorëve e të arsimtarëve? Unë s'jam armik, kam biseduar gjerë e gjatë edhe me Koçon etj.
I zemëruar, e ndërpreva e i thashë afërsisht:
- Dëgjo, Zai Fundo! Ti je antifashist vetëm me fjalë, por me qëndrime e me vepra je trockist, armik i komunizmit, i Stalinit, pra je dhe armik i popullit tonë. Ti je armik i Bashkimit Sovjetik, sabotator i luftës revolucionare, prandaj je një antirevolucionar.

Kështu u ndava me Zai Fundon për të mos e parë kurrë më nga afër. Disa vjet më vonë, në kulmin e luftës sonë heroike për çlirimin e plotë të Shqipërisë, në emër të Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare do të jepja urdhrin për dënimin e merituar të Zai Fundos. Forcat tona të armatosura e kishin kapur skilen e vjetër e dinake, tek vepronte me fytyrën e vërtetë të tij, si agjent i anglezëve e udhëheqës në një bandë reaksionare të Kryezinjve, që luftonte kundër formacioneve tona ushtarake në Veri. Por kjo është histori që i takon periudhës së kurorëzimit të luftës sonë, tani jemi akoma në fillimet e saj.
Në Korçë, si kudo gjetkë, pushtuesi që në ditët e para të ardhjes së tij, gjeti urrejtjen e pafund të popullit. Kjo urrejtje, që fillimisht shprehej në sabotimin e pianteve për fashistizimin e popullit shqiptar, në kundërshtimin për t’u rregjistruar në partinë dhe në organizatat e tjera fashiste, gradualisht mori proporcione më të gjera e më të hapura. Shpërthyen demontratat e protestat e popullit kundër regjimit fashist, dhe lig *eve të tij të pushtimit. Të rinjtë, e sidomos rinia e shkollave, ishin ndër të parët që shfaqnin hapur e me forcë urrejtjen kundër pushtuesve. Unë, që nga ana e Grupit Komunist të Korçës isha ngarkuar të punoja veçanërisht me rininë dhe me mësuesit patriotë e revolucionarë të Liceut, kurrë nuk do ta harroj atë atmosferë të zjarrtë e shpërthyese që sundonte në Lice e jashtë tij. Jo vetëm në bisedat me grupe të kufizuara shokësh e simpatizantësh, por shpesh edhe në orët e mësimit flisnim hapur kundër regjimit fashist e pasojave të tij, ndizeshin diskutime të gjalla, përgatiteshin mendjet dhe zemrat për betejat që na prisnin. Nxënësit e Liceut ishin një mbështetje e shëndoshë për lëvizjen komuniste e antifashiste në përgjithësi. Ata ishin kurdoherë përkrah punëtorëve në protesta e demonstrata, me «padurimin» e tyre, me shpirtin e tyre të papërkulur e luftarak, ata të frymëzonin e të shtonin forcat për t'u ngritur në aksione kundër fashizmit.
Gjithë kjo valë urrejtjeje që ndihej në të katër anët e vendit, sidomos te punëtorët e te rinia shkollore si dhe hutimi e çorientimi që po dukeshin në disa shtresa, si në disa rrethe intelektualësh e të tjerë, e bënin gjithnjë e më evidente para nesh domosdoshmërinë e bashkimit të grupeve në një parti të vetme.
Kuptohet, puna jonë do të binte dhe ra në sy të armikut. Pas një sërë «vërejtjesh» e survejimesh të vazhdueshme nga ana e agjentëve të fashizmit, për shembull, mua në ditët e para të dhjetorit 1939, më komunikuan pushimin nga puna. Ndodhi kjo pas demonstratës së madhe që organizuam në Korçë më 28 Nëntor të atij viti, në përkujtim të përvjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Qysh në mëngjes herët kolonat e liceistëve dolën rrugëve, duke kënduar këngë patriotike e duke, hedhur parulla. Menjëherë u bashkuan me ne punëtorë, zanatçinj, gra shtëpiake, të moshuar e të rinj. Grumbulli i madh i demonstruesve ndali para Monumentit të Luftëtarit Kombëtar dhe vendosëm atje një kurorë me lule. Kjo i tërboi armiqtë, sepse e ndienin që kurora ishte thurur me idealin e lirisë që nuk mund të vdiste kurrë nga zemra e shqiptarit. E gjithë demonstrata ishte një përkujtim për pavarësinë e humbur, ishte një thirrje për të fituar përsëri atë që na kishin rrëmbyer.

Pas kësaj, u shpalla si «i padëshirueshëm» për qytetin e Korçës dhe fillimisht më thanë se do të më transferonin në gjimnazin e Gjirokastrës. Por fashistët ndërruan përsëri mendim: Urdhri nga Tirana ishte që të mos punoja në asnjë shkollë, sepse «turbulloja» rininë me ide të rrezikshme.
Kjo, në njërën ose në tjetrën mënyrë, do të ndodhte patjetër një ditë. Fashistët do të bënin punën e tyre, ne do të vazhdonim punën tonë.
Ishte koha kur kundër regjimit nuk po «turbullohej» vetëm rinia, por gjithë populli shqiptar. Momentet nuk prisnin, duhej intensifikuar puna në të gjitha drejtimet. Mbi të gjitha duhej dalë nga «kuadri» i Korçës, pra, duhej zgjeruar e shtrirë më tej puna komuniste e grupit, duheshin krijuar lidhje të shëndosha me grupet e tjera, duhej ecur me shpejtësi drejt sheshimit të mosmarrëveshjeve, drejt përgatitjes së terrenit për krijimin e Partisë.
Prandaj nuk kundërshtova vendimin e autoriteteve fashiste dhe, në fillimin e vitit 1940, u largova nga Korça. Nga ky qytet, me tradita të shquara në çështjen e lirisë, të punës e të përparimit, nga njerëzit e tij punëtorë e patriotë, veçanërisht nga punëtorët e mrekullueshëm korçarë, ruaja, siç kam ruajtur e do të ruaj përjetë, kujtimet më të mira. Kisha ardhur në Korçë djalë fare i ri, me etjen e madhe për dije, kulturë e përparim, që t'i shërbeja edhe unë sadopak zhvillimit të atdheut të dashur, por Korça më dha mua shumë më tepër se sa kaq. Aty mora mësimet e para të revolucionit e të revolucionarit, aty u lidha për herë të parë me lëvizjen komuniste shqiptare, e cila, ndonëse vetë atëherë ishte në hapat e parë të saj, prapëseprapë më dha atë orientim, i cili do të bëhej qëllimi më i madh dhe i vetëm i jetës sime.
Qysh atëherë, kur isha nxënës në Lice, një gjë më binte në sy e këtë ua thosha edhe shokëve të mi të Gjirokastrës, si Aqifit e Selamiut:
- More këta punëtorët e Korçës, megjithëse nuk kanë shkollë, duken të zgjuar, të hedhur, të qeshur në mjerim, s'përzihen kurrë me djemtë e efendilerëve dhe të arkondëve, të cilëve u futin lloj-lloj të sharash. Punëtorët korçarë shkonin në disa kafene të veçanta të dielave, atje ku veja edhe unë ngandonjëherë. Çudi, ata shkonin atje jo për të ngrënë e për të pirë, por për t'u takuar me njëri-tjetrin e lëvonte muhabeti që ç'ke me të. Tek ëmbëltorja e Koci Bakos u njoha me Sotir Gurrën, Gaqo Naston, te Çaloja i pasticerisë «Kristal» u njoha me Llambi Dishnicën, Petro Papin, Pilo Peristerin, Koçi Xoxen e të tjerë. Me këtë të fundit u njoha në banjat pranë internatit, isha me Këmbkën», nofka e Llambi Dishnicës.
- E mo student, - më thoshin, - ç'kemi ndonjë të re nga shkolla?
Unë u flisja.
Koci Bakoja një ditë më pyeti:
- E mbarove atë që të dhashë? - Më kishte dhënë «Manifestin» e mirënjohur Komunist të Marksit e të Engelsit.
- E lexova, - iu përgjigja, - kam lexuar edhe për Komunën e Parisit dhe për përleshjet e punëtorëve të Parisit me borgjezinë.
- Atëherë na trego dhe ne, - thoshte Koci dhe më shikonte, me ata sy të zez dhe të thelIë. Dhe unë filloja.
Njëherë, kur po vazhdoja, Koci më solli një pastë dhe, duke ma ndërur, më tha:
- Haje!
- Të falemnderit, - ia ktheva, - por s'kam ta paguaj.
- Çfarë lekë, more, - ma ktheu Koci, - ne do të luftojmë së toku në barrikada dhe ti më flet për lekë.
Të tillë ishin punëtorët e Korçës. Ata, edhe unë në shembullin e tyre, në rrjedhën e viteve e të ngjarjeve, do të zhvilloheshim. Çka unë lexoja në mënyrë të fshehtë apo hapur në Lice, merrnin një kuptim tjetër, një kuptim të thellë. Unë e kuptova përse u ndritnin sytë si shkëndija punëtorëve të Korçës, pse ishin serbes, pse rrinin të bashkuar dhe shëtitnin së toku grupe-grupe. E kisha për nder kur shëtitja me ndonjë prej tyre të dielave o në ditë pushimi. Më dukej vetja më i fortë. Më vonë, kur u ktheva në Korçë, në Lice, si mësues ose profesor, siç quheshin atëherë mësuesit e shkollave të mesme, isha i përgatitur «për barrikada», siç më pat thënë shumë vjet më parë Koci Bakoja. Ishin përgatitur më mirë për barrikada edhe vetë mësuesit e mi të parë të lëvizjes komuniste në Shqipëri, punëtorët revolucionarë korçarë. Këtë e vura re menjëherë pasi u lidha me ta, tashmë në mënyrë të organizuar, nëpërmjet shokëve të mi: Stefo Grabockës e Llambi Dishnicës, anëtarë të Grupit Komunist të Korçës.
Me përpjekje e këmbëngulje, në ndeshje me regjimin terrorist e anadollak të Zogut, ata kishin ecur më përpara në formimin e tyre politik e ideologjik, e kishin forcuar më tej Grupin Komunist dhe kishin arritur një sërë suksesesh veçanërisht në punën me masat, për organizimin e tyre në shoqëri, për hedhjen në greva e në demonstrata me karakter ekonomik e politik etj.
Në atë kohë, militanti i shquar komunist Ali Kelmendi ishte larguar nga Shqipëria, por mendimi i tij konsekuent, vula e punës së tij revolucionare në punëtorët e Korçës, ndihej kudo e gjallë.
Pak para se të largohej nga Shqipëria, unë pata fatin e madh të takohesha me të paharruarin Ali Kelmendi në Gjirokastër. Ndodhi kjo në verën e 1936-s, aty nga mesi i korrikut. Sapo isha kthyer në Gjirokastër, kur më vjen shoku im i vjetër Skënder Topulli dhe më thotë se në Gjirokastër do të vinte i internuar një komunist nga më të mirët, që ndiqej e persekutohej vazhdimisht prej regjimit të Zogut si element i rrezikshëm. Skënderit këtë njoftim ia kishin dhënë shokët e Korçës me anë të një letre ku e porositnin ta gjente «Malokun» (pseudonimi i Ali Kelmendit) e të kujdesohej për të.
- Ta gjejmë patjetër, - i thashë Skënderit dhe vazhduam të qëndronim në kërkim.
Të dy sapo ishim kthyer nga jashtë dhe ishim të papunë. Skënderi kishte mbaruar studimet në Francë, kurse unë, pasi u pushova nga puna në konsullatën shqiptare në Belgjikë, tani rrija në Gjirokastër, pranë prindërve, në pritje të ndonjë pune.
Një mëngjes qemë ulur në një kafene afër Qafës së Pazarit e po bisedonim. Papritur hyri një burrë, me shtat e moshë mesatare, kokë jashtë. I ra mes për mes kafenesë, pa parë as majtas as djathtas, diçka bleu te banaku e u kthye të dilte.
- Maloku! - më tha Skënderi ngadalë e u ngrit menjëherë. E arriti te dera dhe u përqafuan. Unë, pa lëvizur nga vendi, po e shihja me vëmendje e me një ndjenjë të thellë admirimi të porsaardhurin. Dukej i lodhur, ishte i vrarë në fytyrë, i mërzitur. Menjëherë e kuptoje se kishte kaluar një jetë plot vuajtje e mundime.
Pasi i ranë së bashku rrugës gjer te sheshi, që më pas do të merrte emrin «Sheshi i Çerçizit», u kthyen përsëri te kafeneja, ku unë po prisja.
- Kush është ai? - e kishte pyetur Aliu Skënderin.
- Një shoku im, mos u bëj merak, - i qe përgjigjur Skënderi. - Do ta njohësh.
- S'e kam hallin për vete, - i kishte thënë Aliu.
U prezantuam dhe u ulëm të tre. Qëndruam gjatë. Aliu ishte një burrë i qetë, fliste pak, ishte krejt i përqendruar në bisedë dhe shumë i matur.
Pas kësaj takoheshim vazhdimisht, herë në kafene, herë në ndonjë sofat ose në ndonjë mur guri. E njohëm më mirë njëri-tjetrin dhe shumë shpejt Aliu na foli hapur për lëvizjen komuniste, për Grupin e Korçës, për të tjerët. Mbi të gjitha, shpresat i vinte te Grupi i Korçës.
Nuk qëndroi gjatë në Gjirokastër, rreth një muaj, e shumta dy, por në atë pak kohë që qëndroi spikatën vetitë e tij prej komunisti e revolucionari konsekuent e të palodhur. Ndiqej vazhdimisht nga xhandarmëria e spiunët, por ai s'trembej dhe ne, nga ana jonë, përpiqeshim që t’i vinim sadopak në ndihmë.
Në xhandarmërinë e Gjirokastrës në atë kohë punonte një oficer i ri, Javer Xhiku. Ishte, më duket adjutant i prefektit ose i komandantit të xhandarmërisë, s'e mbaj mend mirë. Si unë dhe Skënderi e njihnim Javerin që nga fëmijëria, bile kishim qenë në një kohë së bashku edhe në shkollë, në Gjirokastër. Tani puna e solli që Javeri ta provonte veten ndaj nesh dhe ndaj mikut tonë. Spiunët e xhandarët që ndiqnin çdo lëvizje të Ali Kelmendit dërgonin raporte e njoftime të shpeshta për të. Shumë nga këto njoftime binin në duart e Javerit dhe ai jo vetëm i griste ose i fshihte, por dhe ne na sinjalizonte të tregoheshim të kujdesshëm. Kam mendimin se qe njeri i mirë dhe, me sa di, nuk përfundoi keq, më duket vdiq qysh para Çlirimit.
Gjatë kohës që qëndroi në Gjirokastër Aliu s'di nga rnësoi se në burgun e kalasë ishte i burgosur një shok i tij komunist, Mustafa Kaçaçi, i dënuar si pjesëmarrës në Lëvizjen e Fierit.
- S'di ç'do të jepja po të takohesha me të, - na thoshte, ato ditë, dhe vriste mendjen për gjetjen e rrugëzgjidhjes. Dhe e gjeti vërtet. Jeta e gjatë nëpër burgje e internime e kishte bërë që të njihej edhe me lloj-lloj xhandarësh, me ndonjë prej të cilëve e kishte zgjatur bisedën, bile kishte krijuar edhe njëfarë miqësie.
Një ditë na tha me gëzim:
- Më duket do t'ia dal mbanë. Takova një të njohurin tim të vjetër që më ka ruajtur në internim. Ka ardhur gardian në kala.
Dhe konspiratori i regjur Ali Kelmendi filloi të vizitonte shpesh e më shpesh Kalanë e Gjirokastrës.
Hiqej, ndër ata që takonte, si amator i kështjellave të vjetra dhe shumë shpejt u mor vesh «pasioni» i çuditshëm i të internuarit politik! Kështu një ditë, duke «admiruar» bukurinë e kubeve të Kalasë, Aliu, si gjoja rastësisht, u ndodh ballë për ballë me xhandarin që njihte prej kohësh. Ia tha hapur ç'kërkonte dhe xhandari ia plotësoi dëshirën mikut të vjetër.
Por s'kaluan as tri-katër ditë e plasi alarmi. Aliut iu dha kjo alternativë:
- Ose të largohesh nga Shqipëria, ose të vesh të mbyllesh vetë në «shtatë penxheret».
Ishim të tre, Aliu, Skënderi dhe unë te kafeneja në «Sheshin e Çerçizit», kur e njoftuan se e kërkonte urgjent prefekti. «Prisni», na tha Aliu. Kur u kthye na tregoi për bisedën që kishte bërë me prefektin nga Korça, i njohur si patriot i Rilindjes e që kishte punuar me Asdrenin. Ai i kishte thënë: «Me keqardhje ju njoftoj urdhrin e Ministrisë së Brendshme që ose të largohesh jashtë Shqipërisë, ose të shkosh të mbyllesh vetë në burg. Edhe i internuar je, i rrezikshëm për qeverinë e Zogut».
- Kur u ngrita, - tregoi Aliu, - prefekti më tha: - A mund t'ju jap ndonjë ndihmë nga ana ime për shpenzimet e rrugës?
- Jo, - i kishte thënë Aliu, - më japin shokët.
Ne u hidhëruam. Ky ishte takimi im i fundit me Ali Kelmendin. Skënder Topulli njihte Hamit Baçen e vëllanë e tij, agallarë, që shitnin qymyr dhe që miqësisht mbanin Aliun. Vëllai i Hamitit i kishte dhënë një sahat Aliut që Skënderi, a nuk di kush, ma kanë dhënë mua dhe e ruaj në shtëpi.
Pak më pas, kur u caktova me punë në Liceun e Korçës, unë i kisha të gjalla e të pashlyeshme fjalët e mira, respektin e simpatinë që më kishte shprehur Ali Kelmendi për punën e Grupit Komunist të Korçës dhe perspektivat e mëtejshme të veprimtarisë së tij.
Këtë e ndjeva dhe e pashë me sytë e mi, sapo u lidha me grupin e u njoha më nga afër me gardën e tij të vjetër, Miha Lakon, Pilo Peristerin, Gaqo Peristerin, Nesti Titanin, Raqi Themelin, Llambi Dishnicën e të tjerë.
Miha Lako dhe Pilo Peristeri, dy komunistë sypatrembur, na udhëzonin me vendosmëri të madhe në luftën politiko-ideologjike të rëndësishme që ne duhej të zhvillonim.
Në prag dhe pas pushtimit fashist të vendit, në Korçë ndihej e fortë atmosfera e rezistencës që po piqej. Në mes punëtorëve, rinisë, intelektualëve përparimtarë flitej për luftë kundër okupatorit; rinia ishte e zjarrtë dhe në shkolla kishte protesta të hapura antifashiste nga studentët. Ne, komunistët, bënim propagandë dhe, në mbledhjet tona të rregullta ilegale, diskutonim për format e luftës. Te Miha, bolshevik i patundur e i guximshëm, dyqani i të cilit qëndronte kurdoherë hapur, shkonim këshilloheshim e shkëmbenim mendime edhe për veprime që duhej të bënim në shkolla me nxënësit, me mësuesit, me profesorët, me të cilët unë isha caktuar veçanërisht të punoja. Kudo që shkoje, në rrugë, në restorante, në kafene, shihje anembanë shokë e miq, e ndieje veten të fortë, e ndieje forcën e «partisë», siç e quanim ne grupin tonë. Edhe në kovaçhanën e Pilos venim vazhdimisht. Ai, si proletar i vendosur, rrihte mbi kudhër hekurin e skuqur, duke biseduar ç'do të bënim të nesërmen, ç'do të bënim të pasnesërmen e në ditët e tjera që do tëvinin.
- Mos eja kaq sheshit këtej, - më thoshte nganjëherë ai gjithë merak. - Duhet të ruhesh.
- Pse? - e pyesja.
- Qysh pse? Hafijet janë sheshit. «Ç'do profesori i Liceut në kovaçhanë?!» - do të pyesin e të vihen mbrapa.
Mblidheshim edhe në shtëpinë e Sotir Gurrës, të këtij komunisti të vjetër, shok i Aliut, i Mihas, i Pilos dhe imi, bisedonim për punën që na priste, për organizimin më të mirë të saj. Puna intensive që bënte grupi me komunistët dhe me masat, na kishte krijuar bindjen se okupatori dhe bashkëpunëtorët e tij ishin ata që kishin frikë nga ne e jo ne nga ata. Punëtorët e Korçës u bënë mësuesit e mi më të mirë. Ata më edukuan dhe më kalitën më tej në luftën për triumfin e komunizmit.
Kur isha në Korçë, isha takuar edhe me Selim Shpuzën, i njohur si demokrat-revolucionar dhe me ide komuniste. Kur u shtyp kryengritja e Fan Nolit e 1924-ës, Selim Shpuza emigroi e shkoi në Bashkimin Sovjetik, ku bashkë me Ali Kelmendin e të tjerë, mori pjesë në një grup komunist që u formua në Moskë nga një numër shokësh shqiptarë e që pushoi së ekzistuari shumë shpejt. Më pas, Selim Shpuza u kthye në Shqipëri dhe për disa kohë banoi edhe në Korçë, ku veç të tjerash, bashkëpunonte me revistën përparimtare «Bota e re». Ai ishte njeri me kulturë dhe njohës i mirë i historisë së popullit tonë, dhe mua më pëlqente të njihesha me ngjarje e figura të Rilindjes sonë Kombëtare, me lëvizjen demokratike dhe të mësoja nga ai shumë gjëra për Bashkimin Sovjetik e komunizmin.
E ja, tani më duhej të ndahesha nga shokët e mi të vjetër. Do të largohesha nga Korça për të vazhduar e për të zgjeruar më tej punën e Grupit tonë Komunist, për të punuar bashkë me shokët, për krijimin e asaj situate, kur s'do të flitej më për komunistë «të Korçës» apo «të Shkodrës», të këtij apo të atij grupi, por për komunistë të një organizate të vetme - të Partisë Komuniste të Shqipërisë.
Disa «nacionalistë», të lidhur me fashistët, kur dëgjuan se unë, pas vendimit për pushim nga puna, po shkoja në Tiranë, më propozuan ndihmën e tyre që «ta zbutnin» qeverinë e të më emëronin mësues në Gjimnazin e Tiranës! Si duket donin të më «merrnin me të mirë», donin që në Tiranë, pas kësaj që «pësova» në Korçë, të qëndroja «urtë» e të mos trazohesha në politikë!
Kundërshtova kategorikisht:
- Jo, - u thashë, - nuk do të merrem më me mësuesi. Kam vendosur të ushtroj... tregtinë në Tiranë!
Kjo edhe i habiti, po edhe sikur i qetësoi njerëzit e fashizmit e të qeverisë kuislinge. «E po, thanë, e pa edhe ky që s'i bihet murit me kokë dhe tani po u bëka si ne, tregtar».

 

  Shfleto më tutje Shfleto më tutje